Rama: Do të krijohet një bord kombëtar për kontrollin e çmimit të naftës

Kryeministri Edi Rama në një komunikim në Facebook ka prezantuar masën e parë të qeverisë për frenimin e rritjes së çmimit në naftës në Shqipëri.
Ai tha se brenda 48 orësh do të ngrihet një bord special ku do të jenë pjesë qeveria dhe furnitorët e naftës.
Rama tha se asnjë çmim në tregun e naftës nuk do të vendoset pa u miratuar më parë nga ky bord.
“Ndaj, ne do ta trajtojmë këtë situatë si në luftë dhe do ndërhyjmë në çdo tendencë spekulative me cmimin e naftës, duke krijuar brenda 48 orësh, pjesë e planit që do shpaloset në 48 orë, në një akt normativ me fuqinë e ligjit, një kuadër veprimtarie të jashtëzakonshme, një Bord Kombëtar të Administrimit të Karburantit, ku furnizuesit e vendit do jenë në një tavolinë me qeverinë për të bërë gjithë transparencën e çmimeve në mënyrë të përditshme dhe ku marzhi i fitimit do përcaktohet në atë tavolinë dhe nuk do mund të përcktohet sipas qejfit dhe ku do të flitet për të gjitha aspektet, që nga grumbullimi, rezervimi, shfrytëzimi i depozitave, deri tek pika fundore e shitjes, deri në një moment të dytë, sipas dinamikës së kësaj lufte.
Ne nuk do lejojmë që në pikën e furnizimit X apo Y me naftë të shfaqen çmime të pamiratuara në parë në Bordin Kombëtar të Administrimit të Karburanteve dhe do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që do shkelë vendimet e këtij bordi super special, i cili do jetë tryezë e përbashkët vendimmarrëse e furnitorëve dhe qeverisë, për njerëzit, në këtë kohë të jashtëzakonshme lufte, ku nuk është dita për të fituar. Është dita për të rezistuar”, tha Rama.