Politikë

Prokuroria vihet në lëvizje: Procedim penal për Xhelal Mziun, akuzat për kërcënim dhe thirrje për dhunë

Prokuroria vihet në lëvizje: Procedim penal për Xhelal Mziun,

Kandidati i PD për Qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu procedohet penalisht. Pas videos së publikuar ku bënte thirrje: “Kemi ngritur grupet e gatshme, nga sot dhe në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit”, e për të cilën u pendua në një deklaratë të mëvonshme, mësohet se ndaj tij është ngritur procedimi penal. Akuzat që rëndojnë mbi Xhelal Mziun janë: ‘Marrje të padrejtë të komandës’ dhe ‘Thirrje për armatosje’. Policia njofton se materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.

Njoftimi i plotë:

Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale:

“Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të shtetasit XH.M, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër.

Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH.M, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrrje për të nxitur dhunë duke bërë prezent ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.

Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryjnë veprime duke cënuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.


*Tiranapost.al.