Politikë

Përfundon pas 7 orësh mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD! Nesër shpallen anëtarët e rinj të Këshillit

Përfundon pas 7 orësh mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD!

Pas rreth 7 orësh fjalime të figurave të ndryshme të Partisë Demokratike që është shoqëruar dhe nga procesi i votimit për Këshillin e ri Kombëtar që zhvillohej paralelisht, është mbyllur zyrtarisht mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Kombëtar të PD në Pallatin e Kongreseve.

Përgjatë punimeve janë miratuar që të 11 propozimet e Lulzim Bashës për ndryshime në statut, ku nuk përfshihej futja e primareve për zgjedhjen e kandidatëve për deputet dhe as heqja e disa kompetencave nga kryetari që ushtron pushtet thuajse ekskluziv në vendimmarrje, premtime këto që Basha u ka bërë dikur demokratëve.

Ndërkohë, ditën e nesërme do të shpallen fituesit nga procesi i votimit për 300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, ku minimalisht 30% do të jenë gra dhe 15% të rinj dhe të reja.

Në përfundim të Kuvendit mund të themi se ishte një event politik “rutinë” që nuk prodhoi asnjë gjë të re dhe aq më pak ndonjë akt me peshë historike për vendin.

Tiranapost.al