Politikë

PD pavarësisht çfarë thotë, në shtator do jetë në Parlament

PD pavarësisht çfarë thotë, në shtator do jetë

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim e ftuar në emisionin "Opinion" ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit kanë qenë përgjithësisht në rregull dhe në përgjigje të akuzave të PD, ka thënë se duhet të ndiqet procedura ligjore për çdo ankim dhe shqetësim për abuzime.

Yuri Kim ka shtuar se përtej retorikës së opozitës aktualisht, në Shtator do i bashkohet legjislaturës së re në Parlament.

Pjesë nga biseda me gazetarin Blendi Fevziu:

Yuri Kim: Mendoj që ODIHR, që janë vërtet ekspertët për zgjedhjet, kanë nxjerrë gjetjet e tyre fillestare dhe ne i kemi mbajtur shënim. Për shembull, ata vërejnë që zgjedhjet ishin të rregullta dhe përgëzuan autoritetet për administrimin e zgjedhjeve shumë mirë. Megjithatë, vërejtën edhe disa probleme dhe pritshmëria jonë, si SHBA, është që ato probleme do të trajtohen, por për pjesën më të madhe, siç e patë në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira, uruam Kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, uruam edhe partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të fortë. Prandaj mendoj që në tërësi, jemi të kënaqur me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet.

Fevziu: Normalisht, është ODIHR që certifikon zgjedhjet, por kemi probleme të brendshme, sepse të gjithë e dinë që shitja ose blerja e votës, një proces i dyanshëm, jo vetëm blerja, është një fenomen në Shqipëri. A keni parë shenja të këtij fenomeni dhe çfarë mendoni për këtë?

Yuri Kim: Është një problem që ishte në raportin paraprak të ODIHR, përveç disa aktiviteteve të tjera që shpresojmë se do të eliminohen nga zgjedhjet në Shqipëri. Dhe mendoj se kjo do të ndodhë, por siç e përmenda më herët, tani ka dy gjëra që duhet të ndodhin. Së pari, janë paraqitur një numër ankimesh në SPAK, tek prokurorët dhe ligjzbatuesit. Ata duhet t’i marrin këto seriozisht dhe t’i hetojnë të gjitha këto raste.

Blendi Fevziu: …kanë filluar shumë raste…

Yuri Kim: Me sa kuptoj, deri tani, janë paraqitur 143 ankime dhe nga këto, 54 janë regjistruar sepse hetuesit vendosin cilat kanë meritë dhe cilat jo; cilat duhen hetuar nga SPAK dhe cilat nga prokuroritë e rretheve, bazuar në kompetencat e tyre. Me sa kuptoj, tani janë 37 çështje duke u hetuar në mënyrë aktive. I presim rezultatet e këtyre. Siç e dini, KQZ po shikon ankimet që janë dorëzuar, pra ka një proces.

Fevziu: Dhe, ambasadore, PD ka thënë edhe që nuk do t’i pranojë kurrë rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit. Thonë se ishin një masakër zgjedhore. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, për integrimin tonë, si dhe për ju personalisht?

Ambasadorja Kim: Mendoj se për Shtetet e Bashkuara, pikëpamja jonë është shumë e qartë. Në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, vërejtëm se është me rëndësi që të gjitha partitë të njohin rezultatet e zgjedhjeve, dhe për sa është e mundur, që partitë tani të mendojnë se si t’i shërbejnë popullit shqiptar, të gjithë popullit shqiptar. Pra, po presim me kënaqësi që të punojmë me të gjitha palët, të shohim se çfarë mund të bëjmë sëbasku si Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, dhe më duhet të them se më e rëndësishmja për ne është që Shqipëria ka qenë tepër gjatë pa një opozitë të plotë në parlament.

Blendi Fevziu: Dy vjet, thuajse dy vjet.

Ambasadorja Kim: …Pothuajse dy vjet. Tani, disa deputetë qëndruan dhe bënë gjënë e duhur. Dhe pikëpamja jonë është se të gjithë duhet të kishin qëndruar në parlament, por kjo është e kaluara. Tani, teksa presim shtatorin, presim me kënaqësi që Partia Demokratike, e cila është një parti e rëndësishme, e cila ka dhënë contribute shumë të rëndësishme historike për zhvillimin e Shqipërisë. Nevojitet t’i shohim të kthehen në parlament dhe jemi shumë të kënaqur të shohim deklaratat e tyre ku bëjnë të qartë se kur të vijë shtatori, do të kthehen në parlament.

Blendi Fevziu: A mendoni se PD do të marrë pjesë në parlament?

Ambasadorja Kim: Po.

Blendi Fevziu: Edhe nëse nuk i pranojnë rezultatet?

Ambasadorja Kim: Mendoj se gjithçka tjetër që mund të jenë duke thënë, po të shohësh deklaratat nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër në PD, bëjnë shumë të qartë që pavarësisht çfarëdo kundërshtimesh që kanë, do të jenë në parlament në shtator. Dhe kjo është vërtet e rëndësishme.

Blendi Fevziu: Por ka shumë komente që i thonë Bashës të ndahet nga ambasadorët e BE apo SHBA dhe ambasadorë të tjerë europianë, sepse siç thonë ata, ambasadorët mbështesin Ramën. Çfarë mendoni për këtë?

Ambasadorja Kim: Unë e di cila është puna ime.

Blendi Fevziu: Po kërkojnë një rrugë radikale, një rrugë të re radikale nga PD.

Ambasadorja Kim: E dini, njerëzit janë të lirë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe mendoj që kur zhvillohen zgjedhje, ka festim, por ka edhe zhgënjim, por është shumë e rëndësishme që të ketë diskutime të hapura për çfarë ndodhi dhe se cila është rruga përpara. Unë për vete, e di cila është detyra ime. Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përfaqësoj pozicionin e vendit tim. Dhe kur vjen fjala te kjo, ne duam një marrëdhënie të ngushtë me Shqipërinë. Duam që të jetë edhe më e ngushtë. Dhe nuk ka rëndësi kush është në pushtet. Kemi punuar jashtëzakonisht mirë me cilindo ka qëlluar të jetë zgjedhur nga populli shqiptar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

tiranapost.al