Politikë

PD çon në Gjykatë Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës

PD çon në Gjykatë Kushtetuese mandatin e Olta

Kuvendi rrëzoi dje kërkesën e PD-së për të çuar në Gjykatë Kushtetuese mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Sot, deputetë të PD-së, Agron Shehaj nga Rithemelimi dhe Gazmend Bardhi nga grupi i Alibeajt kanë dorëzuar kërkesat respektive ndaj Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar mandatin e Xhaçkës.

Sipas përfaqësuesve të PD-së, Xhaçka nuk mund të jetë edhe deputete, edhe ministre, edhe përfituese e investimeve strategjike. Bashkëshorti i Olta Xhaçkas është shpallur investitor strategjik disa muaj më parë.

Shehaj shkruan:

"Partia Demokratike është e vendosur që t’i shkojë deri në fund betejës me korrupsionin galopant dhe abuzimet e pafundme të kësaj qeverie. Ndaj në emër të Partisë Demokratike sapo dorëzova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtimin e vendimit të djeshëm të Kuvendit si dhe atë për konstatimin e papajtueshmërise me kushtetutën të mandatit të zonjës Xhaçka.

Zonja Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministre e jashtme edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete edhe pronare e plazhit publik."

Bardhi shkruan:

“Shqipëria është rasti unik në botë ku ministri për Europëm dhe Punët e Jashtme, deputetja Xhaçka gëzo njëkohësisht dhe statusin e partnerit strategjik për një investim në Himarë me vlerë 5.5 mln euro. Me vendim të eprorit të saj, Rama, ministrja Xhaçka dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar të drejtën për të përdorur pronën publike për aktivitetin e tyre tregtar për fushën e hoteleri turizmit. Kjo bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës që i ndalon deputetët që të përfitojnë fonde publike apo të përfitojnë pronë publike”.