Orët e ethshme të politikës para dorëzimit të emrave zyrtarë të kandidatëve të 14 Majit
48 orë përpara përfundimit të afatit ligjor për dorëzimin e listës me kandidatëve për kryebashkiak dhe anëtarë të Këshillave Bashkiakë për zgjedhjet e 14 Majit në KQZ, sot forcat kryesore politike zhvillojnë takimet e tyre finale për të dalë me emrat zyrtarë.
Grupimi i PD drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka nisur prej orëve të paradites një takim me Kolegjin e Kryetarëve i cili pritet të pasohet me të tjera takime, si ai me kandidatët për kryetarë bashkie apo ai me Kryesinë.
Nga ana tjetër, po në Partinë Demokratike, por në kampin e demokratëve të drejtuar nga Sali Berisha, të cilët do të garojnë nën ombrellën e Ilir Metës me koalicionin Bashkë Fitojmë, pritet në orën 21:00 po ashtu një mbledhje me Kryesinë.
Edhe Partia Socialiste pritet të zyrtarizojë dhe të bëjë publike emrat e saj. Për këtë qëllim Kryeministri Edi Rama ka njoftuar mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie në orën 19:00.