Politikë

Nishani në Këshillin Kombëtar të PD: Jemi në pikën më kritike pas ’97-ës, Basha nuk frymëzon dot ndryshimin

Nishani në Këshillin Kombëtar të PD: Jemi në pikën

Ish-presidenti dhe kreu i Këshillit Kombëtar të PD ka folur gjatë mbledhjes së këtij organi të demokratëve ditën e sotme ku ka komentuar rezultatin e 25 Prillit dhe alibinë që ka krijuar Basha rreth tij.

Nishani është shprehur se “masakra elektorale” është gjysma e historisë, ndërkohë gjysma tjetër është përgjegjësia e Lulzim Bashës që nuk mund të frymëzonte ndryshimin. Nishani ka shtuar se PD aktualisht ndodhet në momentin më kritik të saj që pas vitit 1997.

“Jemi në pikën më kritike pas ’97-ës. PD është në moment dëshpërimi si asnjëherë më parë. Ne nuk mundëm të fitojmë përballë një regjimi gangterësh. Ka ndodhur masakër elektorale por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës

Gjysma tjetër po aq e hidhur është dështimi ynë. Gjysmë e vërteta nuk është e vërtetë. Nuk mund të dalim në konkluzion pa e bërë analizën baza e partisë. Kush nuk e njeh situatën në bazë, nuk e njeh realitetin dhe nuk mund të gjykojë punën e demokratëve. Ne nuk i ndryshojmë dot realitetin. Shqipëtarët nuk erdhën të na besonin ndaj edhe votuan vetëm 46%. Kur populli do ndryshim, lëshohet si dallgë në qendrat e votimit për ndryshim. Sot kemi vota më shumë se në 2017 po më pak se në 2013 kur disa persona mbajtën përgjegjësi dhe dhanë dorëheqjen. Ne mbetëm përsëri parti e dytë me diferencë të madhe. Po e nisim legjislaturën e re aty ku e lamë në 2019.”- ka thënë Nishani, ftesa e të cilit për praninë e mediave në takim është refuzuar nga Basha.

Tiranapost.al