Politikë

Në listën e zezë të SHBA-ve, por si do veprojë KQZ nëse Tom Doshi kandidon si deputet? Përgjigjja e Celibashit

Në listën e zezë të SHBA-ve, por si do veprojë KQZ

Sot u mblodh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku u diskutua për regjistrimin e koalicioneve, kërkesa për shtryrjen e afatit të përdorimit të ID nëse kanë skaduar dhe për votimin e të infektuave me Covid.

Kreu i KQZ-së u pyet edhe për kandidimin e Tom Doshit, i cili është në listën e zezë të SHBA-ve, ku nuk lejohet të udhëtojë në Amerikë.

Partia e tij është regjistruar, jo në emrin e Doshit. Ilirjan Celibashi u pyet se si do veprohet nëse ai do kandidojë për deputet? Celibashi tha se do duhet të pritet data 8 mars, dhe KQZ do ketë gjithë vëmendjen ndaj çdo rasti në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

“Për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me kandidatë të caktuar, do flasim kur ti kemi kandidatët. Nuk shoh arsye për diskutime hipotetike.Takimet me ambasadoren amerikane kanë qenë si me ambasadorët e tjerë, dhe nuk kanë pasur trajtime të veçanta për aspekte të veçanta të përgatitjes së këtij procesi. Do të duhet të presim datën 8. Ajo që mund të them me siguri të plotë është që KQZ do ketë gjithë vëmendjen ndaj çdo rasti të evidentuar publikisht ose jo, për të pasur një vendimmarrje në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor”.

Ndërkaq, ambasadorja Yuri Kim ka treguar se kryeministri Rama e ka garantuar se Tom Doshi nuk do të ketë asnjë rol për çdo qeveri të mundshme që mund të formojë nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit.

*Tiranapost.al.