Politikë

Mimi Kodheli shprehet e sigurt për marrjen e mandatit në 25 Prill: Do e thyej herësin

Mimi Kodheli shprehet e sigurt për marrjen e mandatit në 25 Prill: Do

Kandidatja e Partisë Socialiste, e renditur në numrin 21 të listës për Qarkun e Tiranës, Mimi Kodheli e ftuar në emisionin “Kjo Javë” është shprehur e bindur se do të mund të thyejë herësin e listës së PS për të fituar një mandat në legjislaturën e ardhshme të parlamentit.

Ish-ministrja Kodheli është shprehur se ka rënë dakord paraprakisht me logjikën e renditjes së figurave me profil të lartë në “vijën e zjarrit” dhe ka thënë se përgjatë fushatës është takuar me njerëz që i kanë përforcuar bindjen se ka mbështetje popullore.

“Unë besoj, gjykoj që jashtë fashës së sigurt është një nocion relativ sot sepse ka ndryshuar kodi zgjedhor dhe relativizohet dhe pozicioni i vijës së sigurt. Unë besoj që po, do ta thyej. Bëhem për çdo ditë e më shumë e bindur kur kuptoj mbështetjen popullore që kam. Nëse kam qenë njëherë e bindur në fillim do jem kështu deri ditën e fundit.

Unë jam një person me këmbë në tokë, nuk them gjëra që kanë hiperbolë brenda. Mundohem të jem brenda realitetit. unë do ta thyej herësin, madje në mënyrë të konsiderueshme.

Vij me eksperiencën time, me vitet që i kam shërbyer vendit, njerëzve, vij nga poste të rëndësishme. Vij me të gjithë regjimin apo stërvitjen që ky sport i rëndë të jep. Vij me debatet e mia në parlament por padyshim dhe me vlerat që kam si person, moralin që kam. Unë e kam të drejtën t’i përmend këto si dy gjëra që më karakterizojnë. Ndaj jam në paqe dhe e qetë. Kjo më bën të mos jem në atë ankthin, në atë axhitimin që njerëzit kanë në periudha të fushatës, por më bën të ndërgjegjshme për të mbajtur atë nivel politik që kam mbajtur deri tani”- ka thënë ajo për gazetaren Nisida Tufa.

Tiranapost.al