Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel gjatë vizitës së tij në Tiranë ka kaluar disa momente interesante në zyrën e Kryeministrit Edi Rama.
Përmes një videoje të postuar nga vetë kreu i qeverisë, Michel shfaqet i befasuar nga pikturat e shumta në zyrën e Ramës. “Sa interesante vizatimet,”- shprehet Michel, - këtu ndodh gjithçka? Jam xheloz!”
Por ajo që e ka lënë vërtet pa fjalë zyrtarin e lartë evropian ka qenë hobi i Kryeministrit për basketbollin edhe si një ish-basketbollist. “Ja dhe topat e basketbollit. Mungon koshi,” thotë ai, derisa dera e paradhomës së Kryeministrit hapet dhe Michel merr topin e basketbollit dhe bën kosh në zyrën e Ramës.
Në fund të “guidës” Kryeministri i ka dhuruar Presidentit të Këshillit Europian librin “Të lirë” të Lea Ypit. “Ky është një libër shumë i bukur që do doja ta lexoje, i shkruar nga një grua shqiptare që punon në LSE, është filozofe dhe ka shkruar një libër për fëmijërinë e saj në Shqipërinë komuniste,” u shpreh Kryeministri Rama.