Politikë

Meta: Rama prodhon skandale të shmangë vëmendjen nga largimi i shqiptarëve

Meta: Rama prodhon skandale të shmangë vëmendjen nga largimi i

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat ditën e sotme ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se qëllimi i vetëm i tij në krye të qeverisë është të prodhojë skandale në mënyrë që të largojë shqiptarët nga vendi dhe në vend të tyre të sjellë shtetas të huaj.

“Nëse do të merremi me të gjitha skandalet që prodhon çdo ditë kjo qeveri, merremi. Por është edhe dëshira e kësaj qeverie që të zhvendosim vëmendjen nga prioritetet më të mëdha të vendit tonë. Kjo është një aventurë, siç është aventurë e shpallur që të lëmë të ikin shqiptarët se na vijnë punëtorë nga Bangladeshi e me ata do të anëtarësohemi në BE. Dhe kjo është në vazhdën e kësaj logjike. Të ikin shqiptarët dhe të sjellim të pasur. Qëllimi është t’i kthejmë ose në shërbëtorë ose ata që kanë mbetur këtu në emigrantë. Këto janë skenarë që nuk do të funksionojnë këtu. Edhe atje e kanë mendjen tek kullat dhe metrat katrorë se kështu nisi kjo punë”, tha Meta.

Ky reagim i ish Presidentit vjen pas vendimit të Këshillit të Ministrave për “zbatimin e procedurave të Partneritet Publik Privat në sektorin e programeve të shtetësisë”. Deri më tani, dhënia e shtetësisë shqiptare ishte një proces ku përfshiheshin disa institucione, madje edhe ato të sigurisë, ndërsa gjithçka merrte formë me një dekret që mbante firmën e Presidentit të Republikës. Por, vendimi i firmosur nga Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar procesin e ndjekur deri tani dhe ky shërbim tashmë kalon me koncesion.