Politikë

Meta fton Berishën për koalicion dhe kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale

Meta fton Berishën për koalicion dhe kandidatë të

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta i ka bërë ditën e sotme një ftesë të hapur Sali Berishës për koalicion përpara zgjedhjeve vendore.

Duke folur në Konferencën për shtyp të ditës së sotme, Meta tha se ky bashkëpunim do të çonte drejt kandidatëve të përbashkët opozitarë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për pushtetin lokal, gjë e cila deri më tani nuk është bërë ende e qartë nga Sali Berisha kur është pyetur nga gazetarët.

Meta për këtë solli madje pikërisht shembullin e primareve të Berishës.

Pjesë nga deklarata e Ilir Metës:

Në kushte të një pushteti vendor ilegjitim, ku opozita s’ka asnjë këshilltar në Shqipëri, i ftoj opozitarët të forcojnë monitorimin ndaj vendimeve të Këshillave Bashkiake kudo ka afera lokale sepse s’ka kontroll nga opozita dhe ne padyshim që do bashkëpunojmë me forcat e vërteta opozitare. Përshëndes idenë e primareve që ka futur Berisha dhe në rastin e një koalicioni do ishte ide e mrekullueshme për të zgjedhur kandidatët më të mirë. Do bashkëpunojmë në mënyrë më transparente. Me rëndësi është që qytetarët të marrin në dorë pushtetin vendor dhe do bëjmë përpjekje që kjo të ndodhë para zgjedhjeve vendore.