Politikë

Mediu del pas dy orësh nga SPAK: Jam thirrur si deklarues, por do ruaj konfidencialitetin

Mediu del pas dy orësh nga SPAK: Jam thirrur si deklarues, por do ruaj

Ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është paraqitur ditën e sotme në SPAK, pa praninë e një avokati, ku është marrë në pyetje për hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’, sipas mediave.

Pas daljes nga SPAK në një deklaratë për mediat Mediu është shprehur: U ftova për të dhënë një dëshmi si person që kam dijeni për një hetim që është interesi i SPAK, do ruaj konfidencën e dëshmisë. Jam thirrur si deklarues.

Mediu është marrë rreth dy orë në pyetje.

Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme. Ka qenë kreu i grupit Parlamentar në PS, Taulant Balla i cili ka paditur në vitin 2020, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po e heton çështjen e privatizimit të kompleksit 'Partizani' për pastim parash.

Ish-ministri Fatmir Mediu, është nën hetim edhe për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 qytetarë, çështje në të cilën janë në hetim edhe Sali Berisha e anëtarë të familjes së tij.