Politikë

Marrëveshja PD-LSI, Spiropali: Të njëjtët që Shqipërisë ia kanë bërë zinë për 30 vite

Marrëveshja PD-LSI, Spiropali: Të njëjtët që

PD dhe LSI nënshkruan marrëveshjen për zgjedhjet e 25 prillit. Firmosja e dokumentit me 13 pika nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u shoqërua me Himnin e Flamurit, që solli dhe reagimin nga Kuvendi të ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali. Ajo tha se ‘lista e mercenearizmit të kulluar nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit’.

'Ata bëhen bashkë për hir të karriges', tha ndër të tjera ministrja.

Pjesë nga deklarata e Spiropalit në Kuvend:

Sa i përket identifikimit elektronik të zgjedhësve, do ishte mirë të bëhej dhe një identifikim i të zgjedhurve, ajo që po na shohin sytë me koalicionin opozitar s’dimë ç’të themi ne. Nuk është koalicion por thjesht një listë.

Këta emra, Mona, Nardi, Shpëtimi, Luli, Agroni dhe ku di unë që pretendojnë se do ndryshojnë me rrënjë politikën janë po të njëjtët që Shqipërisë ia kanë bërë zinë 30 vite.

Prandaj kaluam në kuvend ato ndryshime që vargoni i partive mos të ishte i pafundmë dhe të mos ngrihej në listë kap ça të kapësh. Kjo listë e mercenearizmit të kulluar nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit. Nënshkruan një marrëveshje imagjinare dhe thanë Shqipëria do ngrihet. Kush do i ndërtojë lagjet e reja? Shpëtimi? Kush do i vaksinojë shqiptarët? Ky Nardi? Po turizmin, kush do i sjellë 10 mln turistë? Agroni? Po infrastrukturën? Kush do i rindërtojë aeroportet? Mona?! Iu duket çudi këtyre, pasi kur ke një kryetar partie, që është një aeroplan pa bisht, s’ka ç’të duhet pista. Fli gjumë e shih ëndrra. Po votën e emigrantëve pse e pengojnë? Po ça kanë këta? Se kanë 4 vite se; po ikin shqiptarët nga Rama. Shqiptarët po ikin nga kjo listë. Mercenarë, të blerë, të shitur. Po Shqipërinë evropiane faktor kush do e bëjë? Flamur Noka. Që thotë; do iu presim gishtat, do ia nxjerrim sytë. Ai thotë; mos e ndërtoni qendrën e Vorës se nuk dua unë, se do iu presim duart atyre që do të ndërtojnë.

-Ndërkaq, në seancën e sotme është planifikuar edhe miratimi i Aktit Normativ “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”, si dhe miratimi i Aktit Normativ ‘Për disa shtesa në ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’ të ndryshuar””.

Kuvendi do të votojë sot edhe projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si autoritet kontraktues dhe shoqërive “S2 Albania” shpk dhe “Rapiscan systems” INC “Për një ndryshim në marrëveshjen e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 123/2013” të ndryshuar””.

Kuvendi do të miratojë po ashtu edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”, konkretisht për kandidaturën e Gaspër Markut dhe Leka Bungos.

*Tiranapost.al.