Politikë

Lulzim Basha reagon pas artikullit të CNN se PD ka marrë financime ruse në 2017

Lulzim Basha reagon pas artikullit të CNN se PD ka marrë financime

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas artikujve nga CNN dhe BBC se Rusia ka financuar fushatën e PD-së në 2017. Me anë të një reagimi në Twitter Basha shkruan se e PD nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj, e aq më pak me burim rus.

"Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë, çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE", shkruan Basha në Twitter.

Në artikullin e BBC-së dhe CNN thuhej: Një burim i administratës që ka informacion mbi gjetjet, pretendon se Rusia ka shpenzuar rreth 500,000 dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike të qendrës së djathtë të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjithashtu financoi partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar.