Politikë

Listat jashtë dhe brenda!

Listat jashtë dhe brenda!

Gazetari Sokol Balla në deklaratën hapëse të emisionit të tij Real Story ka bërë një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve politike të ditës së sotme, ku spikatin bashkimi i analistit Agron Gjekmarkaj dhe shkrimtares Flutura Açka me PD-në, por edhe lista e LSI e cila u anoncua në mesditë. Gjithashtu ka spikatur fakti se Rama do të kandidojë liderët e PS në vendet e fundit të fituara në 2017, çka i jep garës një natyrë të paprecedent për këtë kod zgjedhor.

“Sonte Lulzim Basha dhe shenjën e parë se nuk ka paragjykime ndaj kritikëve të tij. Agron Gjekmarkaj, analisti i njohur, por i rritur në profil në Top Story dhe më pas edhe në Real Story, një kritik i Bashës pas humbjes së tij në 2017 do të jetë mesa duket kandidat në një vend të sigurt në listën e PD në Lezhë.

Një tjetër zë i shoqërisë civile Flutura Açka do të jetë pjesë e listës së PD në Elbasan. Ndërkohë Monika Kryemadhi ka guxuar të publikojë gjatë drekës listën e saj. Them ka guxuar, sepse ka kandiduar katër gra në vendet e para, vetë e para dhe e katërta Klajda Gjosha. Vetëm i pesti shfaqet Përparim Spahiu.ndërkohë që ish-zv. kryeministri Edmond Haxhinasto është gjendur i shtati. Duket se ai po vuan , duke qenë një nga të besuarit e Metës, por edhe vuan faktin që është krushk i Nasip Naços i cili i është bashkuar PS në qarkun e Beratit.

Duket se është zgjidhur enigma Vangjelë Tavo. Sondazhet e vendosin në pikëpyetje një mandat të tijin në Gjirokastër, por duket se do e kërkojë sërish atë, jo në listat e PD-së, por më[ vete me LSI.

E fundit në listën e Kryemadhit është Briselda Shehaj ish-drejtoresha e tatimeve e cila vendoset në fund, por dyshoj se ky fund do të jetë dhe embëlsira e LSI-së.

Por, paradoksalisht risi të forta po sjell sërish selia rozë. Me emrat e rinj dhe ata të lënë jashtë. Përfundimisht nuk do të jenë më deputetë Vasilika Hysi, Besnik Bare të cilët janë zëvendësuar me njerëz afër Erjon Veliajt. Blerina Gjylameti duket se po ikën në Pogradec, megjithëse drejtoi për shumë vite partinë socialiste në kryeqytet. Nuk dihet asgjë për fatin e Ditmir Bushatit dhe Fatmir Xhafajt, ndërkohë që Alfred Peza, Dritan Lela dhe Musa Ulqini ose nuk janë ose kanë refuzuar me politesë të garojnë në 25 Prill. Edi Rama ka zgjedhur me zgjuarsi datën 8 Mars duke shpallur kryesimin e listëve të kandidatëve me zonjat në Shkodër, Dibër, Kukës, Lezhë, Tiranë, Durrës. Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan dhe duke lënë të vetmin mashkull si përjashtim që vërteton rregullin Erjon Braçen si kryesues në Fier. Edhe njëherë Edi Rama ka befasuar me rregullat e garës që i ka vënë të ashpra për vetë liderët e tij. Krerët socialistë do të garojnë në vetë vijën e zjarrit dhe në vendin e funduit të mandatave të marra në 2017 pa përjashtuar këtu as veten e tij. Fiton apo s’fiton është çështje tjetër, por Edi Rama ofron sërish show politik.”

Tiranapost.al