Politikë

Largohet Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj kryetar grupi. Gjekmarkaj nënkryetar parlamenti?

Largohet Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj kryetar grupi. Gjekmarkaj

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, që u mbajt pasditen e sotme u propozuan nga kryedemokrati Lulzim Basha ndryshime në pozicionet drejtuese të PD.

Në ndryshimet e propozuara, kryetari i Grupit Parlamentar Alfred Rushaj, i cili siç u tha nuk ishte i pranishëm në mbledhje për arsye shëndetësore, është zëvendësuar nga Enkelejd Alibeaj.

Sipas raportimeve të mediave deputeti Agron Gjekmarkaj është propozuar për postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike.

Gjatë mbledhjes u morën vendime edhe për ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me drejtimin e Komisioneve parlamentare dhe Byronë e Kuvendit.

“Fillimisht dua t’ju informoj se me një vendim të përbashkët timin dhe të Kryetarit të Grupit Parlamentar z. Alfred Rushaj, kemi vendosur me dakordësi, që drejtimi i Grupit, me sfidat e reja që kemi përpara t’i kalojë z. Enkelejd Alibeaj.

Në zbatim të vendimit të Kryesisë, ku është vendosur që organizatorët e dhunës të mos mbajnë pozicione drejtuese në Grup Parlamentar, dua t’ju njoftoj ndryshimet që do ti propozoj Grupit Parlamentar. Kam vendosur që këtë ta ndajë më së pari me Këshillin Kombëtar të PD, ku është prezent e gjithë trupa drejtuese e partisë. Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe con përpara sfidat që ka PD.

Nga ana tjetër, do të propozoj si Nënkryetar të Kuvendit, z. Agron Gjekmarkaj, që gjithashtu kërkoj nga Këshilli Kombëtar që të votohet edhe si Nënkryetar i Partisë Demokratike.

Një përfaqësues i denjë i demokratëve, botës akademike dhe komunitetit katolik. Jam i bindur se z. Gjekmarkaj është vlerë e shtuar në lidershipin e Partisë Demokratike.

Ndryshimet e tjera që do të propozoj kanë të bëjnë me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit, si më poshtë:

Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma
Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka
Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve: Dhurata Çupi
Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar)
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)
Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar)
Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar)” tha Basha në mbledhjen e zhvilluar.