Kurti këmbëngul që së pari Serbia të pranojë Kosovën, pastaj të fillojë bashkëpunimi

Asnjë tërheqje nga ideja e tij. Albin Kurti beson se bashkëpunimi, Open Balkan apo çfarëdo lloj termi për bashkëpunimin ekonomik rajonal do të ndodhë vetëm pasi Serbia ta ketë njohur Kosovën. Në mbledhjen e përbashkët të qeverive, krah Edi Ramës, i cili beson të kundërtën e Kurtit, se vendet mund të bashkëpunojmë edhe pa zgjidhur të gjitha çështjet politike, si një mënyrë për të avancuar drejt zbutjes së raporteve. Por Kurti edhe një herë sot ka bërë të qartë qëndrimin e Kosovës dhe qeverisë së tij.
Mesazhi ishte njëjtë si për Vuçiç dhe Ramën, të cilët janë në një simbiozë politike prej kohësh.
Vetëm pak ditë më parë, kryeministri në një intervistë për politico.eu mbrojti Serbinë në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë duke thënë se do të ishte vdekjeprurëse për ekonominë e saj, edhe pse ai vetë dhe Shqipëria kishin ecur në linjën perëndimore dhe anti-ruse.
“Bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esenciale politike mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social”, tha Kurti.