Kryeministri Rama reagon pas tensioneve në veri të Kosovës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve në veri të Kosovës. Përmes një postimi në Twitter, Rama thotë se i bashkohet shqetësimit të partnerëve ndërkombëtarë pas situatës së krijuar në Mitrovicë të Veriut, ku gjatë ditës së sotme ka pasur përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve serbë gjatë momentit kur katër kryetarët e zgjedhur të komunave janë futur në zyra nën praninë e forcave speciale.
"A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!
Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë", shkruan Rama.