Kryeministri Rama nis sot vizitën zyrtare në Londër

Kryeministri Edi Rama udhëton sot drejt Londrës, ku do të qëndrojë 3 ditë në një vizitë zyrtare. Ai do të pritet nga homologu britanik Rishi Sunak, me të cilin takohet për herë të parë.
Të dy krerët e qeverive kanë pasur më herët një bisedë telefonike për çështjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, si dhe kanë shkëmbyer replika për deklaratat e ministrave britanikë që i quajtën shqiptarët kriminelë.
Tashmë Rama e Sunak do të takohen për të folur për politikat britanike të kthimit të emigrantëve të paligjshëm dhe zbatimin e një marrëveshjeje dypalëshe për riatdhesimin e tyre.
Lufta e përbashkët në luftimin e krimit të organizuar do të jetë pjesë e bisedimeve, ndërsa pritet të diskutohet edhe mbi forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politikës së jashtme.