Politikë

Kryeministri Rama në Madrid, ku do të mblidhen 30 udhëheqësit e Aleancës së NATO-s

Kryeministri Rama në Madrid, ku do të mblidhen 30

Sot në Madrid mblidhen 30 udhëheqësit e aleancës së NATO-s, për një takim të nivelit të lartë që zhvillohet nesër dhe pasnesër. 30 anëtarët e NATO-s pritet që të rrisin mbështetjen për Ukrainën, të shtojnë praninë e forcave të tyre në krahun lindor të Aleancës dhe të miratojnë një koncept strategjik që përcakton përparësitë kryesore për dekadën e ardhshme, me theks të veçantë ndaj ambicieve ushtarake ndërkombëtare në rritje të Kinës.

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Jashtme Olta Xhaçka ndodhen tashmë në Madrid në takimin që vjen në një periudhë të vështirë të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës.

“Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është nisur sot për samitin e NATO-s që do të mbahet në Madrid, si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Kyeministri Edi Rama. Në Samit do të diskutohet ndër të tjera vazhdimi i mbështetjes ndaj Ukrainës për një afat më të gjatë, si dhe dakordësimi mbi Konceptin Strategjik 2022”, njoftoi Ministria e Jashtme.

Gjatë takimit udhëheqësit pritet të shfaqin unitetin e tyre në mbështetje të Kievit, të vendosin për shtimin e pranisë së forcave të NATO-s në krahun lindor të saj dhe miratimin e një koncepti strategjik mbi përparësitë e aleancës në dekadën e ardhshme.

“Është një takim i nivelit të lartë që zhvillohet në një nga momentet më dramatike të marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Rusinë dhe gjithashtu me Shtetet e Bashkuara. Është takim shumë i rëndësishëm. Është hera e parë që ndodh gjatë një lufte në Europë”, thotë Javier Solana, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqës të tjerë të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, duan të tregojnë forcën dhe unitetin në mbështetje të rezistencës së Ukrainës ndaj sulmit të ashpër të forcave të Presidentit rus Vladimir Putin.

Presidenti ukraians Volodymyr Zelensky pritet që t’u drejtohet udhëheqësve të NATO-s në një lidhje videofonike, por ai ka pranuar se anëtarësimi në NATO është një synim i largët dhe se tani ai është i përqëndruar në anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Europian.

Sidoqoftë, zgjerimi i alenacës mund të ndodhë. Finlanda dhe Suedia kanë braktisur statusin e tyre neutral, duke kërkuar anëtarësim në NATO, si masë mbrojtjeje ndaj një Rusie gjithnjë e më agresive. Por Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, është pengesë për qëllimet e Suedisë dhe Finlandës, të paktën tani për tani.