Kryeministri për Metën dhe Kryemadhin dhe deklaratën e Monikës se peshku i madh në telefonin e saj ishte Rama
Kryeministri Edi Rama i ftuar sot në Opinion i uështë përgjigjur akuzave të Monika Kryemadhit se "Peshku i madh në telefonin e saj ishte Rama", ka folur për arrestimin e Ilir Metës, për SPAK dhe arrestimin e ish deputetit të PS, Jurgis Çyrbja.
Përgjigja e Ramës ndaj akuzave të Monikës
Rama:Zonja është në hallin e vet dhe unë me njerëz që janë në halle të mëdha nuk debatoj. Unë nuk kam asnjë hall të kësaj natyre.
E kam thënë dikur, kam qen më i ri, nuk ka birë nëne dhe bir tjetër që mua të më dalë përpara e të më thotë që një qindarkë e imja si taksapagues ndodhet në xhepin tënd. Kjo është një histori qensh, lehje qensh.
Dykëmbësorë që kanë marr rolin e qenit në mjedisin e qenit dhe që lehin nga të katërta anët dhe bëjnë çorbë gjithë dynjanë.
Si e komenton Rama arrestimin e Metës
Rama: Nuk e komentoj, Policia nuk njofton kur arreston. Se nuk e komentoj, nuk do të thotë që jam kundër arrestimit. Duke folur në përgjithësi, policia merr urdhrin për të arrestuar dikë, dhe shkon e arreston, nuk mendon as për vend as për kohë, sepse është dekonspirim. Fuqinë SPAK-ut ia kemi dhënë me të gjithë fuqinë tonë. Kemi krijuar një mitraloz të pavarur që godet majtas, godet djathtas, godet afër meje...
Rama pyetet për arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja
Rama: Për këtë e kemi ndërtuar drejtësinë. Përzgjedhja e njerëzve bëhet mbi bazën e atyre që di, jo mbi bazën e asaj që njerëzit mund të bëjnë nesër. Shumë njerëz në rrugën e jetës devijojnë, bien në grackën e përfitimit të paligjshëm dhe për këtë arsye ka një sistem që i ndëshkon. Edhe në familje mund të ndodhë që fëmija që ke rritur e edukuar, mund të ndodhë që të del binarëve.
Rama pyetet nëse ushtron presion ndaj SPAK
Rama: Është ofendim i madh i inteligjencës së gjithë këtij populli kjo. Po përsëris që ajo që ka bërë Partia Socialiste nën udhëheqjen time është epokale. Është e para forcë politike në historinë e këtij vendi që ka marrë një vendim dhe ka shprehur vullnetin më të plotë që të tërheqë fuqinë e vet nga territori i drejtësisë.
Dhe me kosto patjetër që ajo drejtësi e çliruar nga pushteti politik do të godasë edhe brenda nesh. Dhe një kosto jo e paftuar, por një kosto e mirëseardhur për mua. Sepse nga pikëpamja organizative, nga pikëpamja administrative, ti mund të bësh gjithçka, por kur vjen puna te gjykimi për vepra penale nuk e bën dot këtë. Për këtë duhet drejtësia, duhet prokuroria, duhet gjykata.