Politikë

KQZ miraton formatin e fletëve të votimit për 25 Prillin

KQZ miraton formatin e fletëve të votimit për 25 Prillin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar ditën e sotme fletën e votimit e cila do të përdoret për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit. Sipas vendimit të miratuar, zgjedhësit do të votojnë me një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë në të gjitha zonat zgjedhore dhe sasia e fletëve të votimit do të jetë e barabartë me numrin e votuesve, plus 2% për probleme të mundshme teknike.

Letra e cila do të përdoret për fletën e votimit do të përmbajë disa elemente sigurie si një numër serial, zonën zgjedhore dhe një barkod të palexueshëm me sy të lirë. Në pikën dy të vendimit, parashikohet se fleta mund të ndryshojë përmasat në varësi të numrit të kandidatëve në çdo zonë, ndërkohë që këta të fundit do të identifikohen me emrin e tyre dhe jo me numra. Pra, për të votuar në listat e hapura qytetarëve nuk do u duhet të memorizojnë numrin rendor të kandidatit të tyre të preferuar, por do të kenë emrin e tij apo të saj në fletë, çka shmang gabimet njerëzore në këtë front.

Imazhi ekzakt i fletëve të votimit do të publikohet pas shortit që do të përcatojë renditjen e formacioneve politike në fletën e votimit.

Tiranapost.al