KQZ miraton anëtarët e PS, PL dhe PSD për KZAZ-të, por jo të PD-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e anëtarëve të KZAZ-së të PS, PL dhe PSD-së. Sa i përket listës së Partisë Demokratike, KQZ ka vendosur të shtyjë miratimin e listë së anëtarëve, pasi grupimet kanë dërguar dy lista.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi foli pas mbledhjes së KQZ dhe tha se janë në proces të verifikimit të listave të depozituar nga dy palët e PD. Celibashi tha se deri më datë 7 mars do të kenë dalë në përfundimin se kush është përfaqësuesi i PD.
"Të dyja përgjigjet që jap qëndrojnë. Jemi në proces të verifikimit të dokumenteve të paraqitur nga PD në lidhje me propozimet për anëtarë të KZAZ. Duke shtuar edhe faktin që kemi dy lista, një nga Noka në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD dhe tjetra nga Sefa që është përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ. Situata është e tillë që do duhet të konsultojmë, maksimumi deri më datën 7 mars mbi legjitimitetin e personit që do duhet të përfaqësojë interesat e PD, më së pari në procesin e regjistrimit si subjekt zgjedhor në KQZ. Këtu fillon përgjigja e dytë. Ajo që dertiminuar më shumë është fakti se ne jemi në këtë situatë. Por duke e sqaruar edhe njëherë . Vendimmarrja do jetë strikte bazuar në Kodin Zgjedhor, s’kemi ardhur në atë moment që dikush të bëjë interpretimin se ky vendim ishte i drejtë apo i gabuar. Mbetet e padiskutueshme ajo që kam thënë në momentin që do vendosim do jetë në përputhje me parashikimet e ligjit dhe do jetë e thjeshtë. Skam asnjë lloj problemi apo drojë për ta marrë këtë vendim. Është shumë e thjeshtë”, tha Celibashi.