Politikë

KQZ do regjistrojë PD-në e Bashës në zgjedhje: 48 orë kohë për të përgatitur dokumentacionin

KQZ do regjistrojë PD-në e Bashës në zgjedhje: 48 orë

Kryekomisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se në bazë të dokumentacioneve që i janë paraqitur, të drejtën për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit, e ka Lulzim Basha.

Celibashi i dha 48 orë kohe Bashës për të bërë plotësimet e duhura.

“Mendoj që të drejtën për të kërkuar regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023, bazuar në dokumentet zyrtare e ka zoti Lulzim Basha. Ai figuron kryetar i PD-së në pikëpamje të ligjit. Vijmë te diskutimi tjetër në lidhje me legjitimietin e kësaj kërkese. Nga vlerësimi që i kemi bërë këtij dokumentacioni, do duhej që sipas ligjit, kërkesa të paraqitej nga kryetari i PD-së, zoti Lulzim Basha.

Në vlerësimin që i kemi bërë dokumentit autorizues, të zotit Basha për zotin Sefa, unë vlerësoj që ky dokumentacion nuk është i plotë me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Besoj se është e qartë që dokumentacioni autorizues duhet të jetë në përputhje me parashikimet e nenit 64 të Kodit Zgjedhor. Sipas vlerësimit tim, duhet që akti autorizues të jetë i qartë. Do t’ju jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara, domosdoshmërisht për deklaratën e kryetarit të partisë politike”, theksoi ai.