Politikë

Kosova do përfaqësohet me Vjosa Osmanin në Samitin e 6 Dhjetorit në Tiranë

Kosova do përfaqësohet me Vjosa Osmanin në Samitin e 6 Dhjetorit

Kosova do të përfaqësohet me Presidenten Vjosa Osmani në samitin BE - Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Sznunyog, i dorëzoi sot Osmanit kopjen fizike të ftesës nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

“Në takim u vlerësua fakti që për herë të parë, ky samit do të mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar gatishmërinë e vendeve të BE-së për një angazhim më të madh drejt bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet e rajonit”, thuhet në njoftim.

Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.

Në këtë takim udhëheqësit e Bashkimit Europian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.