Politikë

Këlliçi dhe Boçi dorëzojnë mandatet: Çfarë thanë në fjalimet e fundit në Kuvend

Këlliçi dhe Boçi dorëzojnë mandatet:

Dy deputetët e parë, të cilët kanë zgjedhur të lënë mandatet për të garuar në zgjedhjet lokale të 14 Majit, janë larguar sot me fjalën e fundit të mbajtur në seancën parlametare. Ata i përkasin që të dy Partisë Demokratike dhe konkretisht grupimit që drejtohet nga Sali Berisha.

Belind Këlliçi dhe Luçiano Boçi dorëzuan mandatet mbrëmjen e sotme pasi që të dy janë në listën e deputetëve të Berishës për zgjedhjet e 14 Majit, i pari për Bashkinë e Tiranës, ndërsa deputeti Boçi synon të fitojë postin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.

Këlliçi dhe Boçi dorëzojnë mandatet:

“Unë sot, pas kësaj seance do të dorëzoj mandatin e deputetit, sepse me besim të plotë i kam hyrë një projekti të madh politik. Duke nisur nga nesër unë do të jem kandidati i të gjithë qytetarëve të Tiranës. Po hyj në një garë për të drejtuar Bashkinë e qytetit ku linda e u rrita, qytetit që e dua shumë e ku nesër dua të rris fëmijët e mi. Nuk ka dyshim se Tirana e ndjen nevojën për ndryshim ashtu si e gjithë Shqipëria,” tha Këlliçi.

Këlliçi dhe Boçi dorëzojnë mandatet:

“Po e dorëzoj sot mandatin me kushtin që të jem më pranë njerëzve të mi, qytetarëve të Elbasanit. Më është dhënë privilegji që dikush mund ta quajë sakrificë. Privilegj për të qenë në Bashkinë time të Elbasanit. E shoh si mundësinë e artë për t’i kthyer të gjithë shkëlqimin, meritën dhe lavdinë e dikurshme,” tha Boçi.

Asnjëri prej dy deputetëve nuk përfaqësohet në këto zgjedhje me logon e Partisë Demokratike, pasi të drejtën e ka grupimi zyrtar me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn. Ata synojnë të bëjnë fushatën e tyre brenda koalicionit të drejtuar nga Ilir Meta, "Bashkë Fitojmë", por edhe në këtë rast KQZ nuk ka regjistuar PD e Berishës si anëtare të koalicionit.