Politikë

Grupi “rebel” i PD: Lideri të mbajë përgjegjësinë e humbjes! Basha nuk nxorri asnjë mësim

Grupi “rebel” i PD: Lideri të mbajë

Grupimi i ashtuquajtur për "PD-në" që përbëhet nga anëtarë të vjetër dhe me profil të lartë të kësaj strukture si Edith Harxhi, Arben Imami, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Bujar Nishani, Arben Ristani etj. kanë dalë në një konferencë për shtyp ku kanë kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe kanë renditur dështimet e tij duke filluar nga braktisja e reformës territoriale, zgjedhjeve lokale dhe braktisjen e parlamentit.

Gjithashtu, grupi ka bërë thirrje për reformim të PD dhe hapjen e saj për ta shndërruar në një parti politike "moderne dhe konservatore".

"Grupimi “Për PD-në” i përbërë nga anëtarë të strukturave që kërkon reformim të PD, dorëheqjen e kryetarit të Partisë, mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe vendosjen e disa rregullave që do të lejojnë hapjen dhe reformimin e Partisë Demokratike.

PD nuk frymëzoi dhe nuk arriti të mblidhte qytetarët kundër një qeverisë së krimit. Zgjedhjet janë humbur me të njëjtin rezultat si në 2017. Mazhoranca ka 77 deputetë. Zhvendosja e votave nga PD në LSI nuk është shenjë fitoreje. Pjesëmarrja me 47% po aq sa në 2017 është shenjë se PD nuk frymëzoi qytetarët. Në politikë një drejtues mban përgjegjësitë e dështimit, pavarësisht shkaqeve. PD ka shembullin e një sjelljeje demokratike dhe qytetare, si Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD në 2013. Dorëheqja e Lulzim Bashës, jo vetëm nuk është fundi i PD, por fillimi i një kapitulli të ri për të. Mospjesëmarrja në reformën zgjedhore i dha PS mundësinë të zotërojë shumë zona. Mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale i dha pushtet PS për të marrë zgjedhjet. Largimi nga parlamenti i dha mundësi të hyjnë në Parlament njerëz të kandiduar nga Basha që rezultuan të shitur.

Brenda partisë, kryetari nuk mori përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve dhe në zgjedhjet e vitit 2017 ishte një proces që nxorri një kryetar pa legjitimitet. Lista e vitit 2021 ishte lista e kryetarit, e cila u lexua online vetëm me zë dhe jo me figurë online, vetëm një orë përpara afatit për depozitimin e listave në KQZ. Kryetari nuk nxorri asnjë mësim nga 2017.

Shteti është i kapur, por për fat të keq edhe opozita është e kapur. Njeriu i thjeshtë nuk është i përfaqësuar sot dhe parlamenti nuk ka më vlerë, sepse del nga listat e kryetarëve dhe ai nuk ka lidhje me zgjedhësin, por vetëm me kryetarin e partisë. Kriza e demokracisë shqiptare është një krizë përfaqësimi. Votat shtypen, blihen dhe korruptohen.

Ne duam një parti moderne dhe konservatore që do të mbledhë më shumë simpatizantë dhe do të frymëzojë."- ka thënë mes të tjerash Edith Harxhi që foli në emër të grupit.

tiranapost.al