Politikë

Financimi rus 500 mijë dollarë, Floriana Garo: Përgjegjësitë bien mbi Bashën. Kërkojmë rihapjen e çështjes

Financimi rus 500 mijë dollarë, Floriana Garo:

Në një reagim pas publikimit të deklaratave të zyrtarit amerikan se Rusia kishte financuar PD-në, zëdhënësja e PD-së Floriana Garo tha sot se PD kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes duke thënë se përgjegjësitë bien mbi Bashën.

Deklaratë e Partisë Demokratike, zëdhënësja Floriana Garo.

Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës.

Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar përdorimin e kësaj afere për marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike.

PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë.

Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm.

Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet.

Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cenim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës.

Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve.

Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.

Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, në kundërshtim të hapur me ligjin i dosjes në Gjykatën e Lartë.

Partia Demokratike kërkon transparence dhe një proces të qartë publik. Ajo është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje, dhe deklaron se misioni i saj ka qenë dhe vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ndajmë me partnerët tanë.