Finanacimi rus për PD-në në vitin 2017, Jorida Tabaku: Nuk përzihem në ketë baltë politike. Ta gjejë drejtësia
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas artikujve të publikuar nga BBC dhe CNN se Rusia ka financuar fushatën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2017. Në një intervistë për Euronews, Tabaku është shprehur se nuk do të bëhet pjesë e baltës politike dhe që do t’ja lëri drejtësisë në dorë për të thënë të vërtetën.
“Unë nuk kam dëgjuar akuza, kam dëgjuar të njëjtin riciklim të elementëve të vjetër të 2017-s dhe nuk dua fare të bëhem pjesë e kësaj baltës dhe luftës politike për të sulmuar një individ apo një individ tjetër. Besoj që drejtësia do flasë për këtë , do flasë për këtë drejtësia këtu dhe jashtë Shqipërisë.
Nuk m'u duk sikur pashë diçka të re ose një informacion të ri. Është një çështje që unë nuk e kam mbuluar që të jap informacion. Ia lë sistemit të drejtësisë të flasë, ashtu sikundër për çështjen e inceneratorëve”, u shpreh Tabaku.
Në artikullin e BBC-së dhe CNN thuhej: Një burim i administratës që ka informacion mbi gjetjet, pretendon se Rusia ka shpenzuar rreth 500,000 dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike të qendrës së djathtë të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjithashtu financoi partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar.