Politikë

Çfarë duhet të presë BE nga Shqipëria dhe anasjelltas! Ditmir Bushati: Hapja e bisedimeve për anëtarësim sinjal i mirë

Çfarë duhet të presë BE nga Shqipëria dhe

“Kemi dy dekada që qëndrojmë në pritje në paradhomën e Europës.” Ish-Ministri i Jashtëm Bushati në një intervistë për “Good Morning Europe” flet për Konferencën e Parë ndërqeveritare që i hap rrugë çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, e cila pritet të mbahet në qershor.

“Është vonë, kur mendon që statusin e vendit kandidat e kemi marrë në 2014, por ka shumë rëndësi”- thotë ai - “që tani të flitet për anëtarësimin në Europë dhe jo perspektivën europiane”.

Procesi sipas tij duhet të dalë nga kapitujt dhe teknikalitetet, sepse njerëzit nuk ushqehen me to, por duhet që Europa te jetë me prezente dhe sa më e kapshme nga ata.

Kujtojmë se ditën e nesërme Komisioneri europian për Fqinjësi dhe Integrim, Oliver Varhelyi do të vizitojë Tiranën, në kuadër të një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Intervistën video e ndiqni në këtë link. Më poshtë e transkriptuar:

Euronews: Ditmir Bushati, faleminderit që jeni pjesë e Goodmorning Europe. E dimë tashmë që së fundmi do të propozohet Konferenca e parë ndërqeveritare. Sa domethënëse është ky zhvillim në këtë proces të gjatë të Shqipërisë për tu integruar në BE?


D.B: Çdokush po pret një vendim të qartë nga Këshilli, së pari për të miratuar kornizën negociuese, e cila do të shtrojë rrugën për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu një vendim për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare e cila do të simbolizojë nisjen zyrtare të rrugëtimit të Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së. Ky sigurisht është një vendim i vonuar në rastin e Shqipërisë, e cila mori statusin e kandidatit në vitin 2014, dhe ka qëndruar në “dhomën e pritjes” për shumë vite dhe tashmë të gjithë presim të nisim këtë rrugëtim të anëtarësimit në BE, me shpresën që do të ketë një ndikim të pamasë në procesin e demokratizimit, në zhvillimin ekonomik të vendit dhe pse jo, do të jetë një sinjal i qartë për të gjithë rajonin.

Euronews: Sundimi i ligjit dhe për këtë ka disa kushte. Sa progres ka bërë Shqipërië në këtë drejtim?

D.B: Ky proces është gjithmonë subjekt i kushteve dhe progresit. E kam bërë të qartë se në rastin e Shqipërisë ky është një vendim i vonuar, ne duhet të kishim nisur këtë rrugëtim që në 2018. E rëndësishme është që vendimi i Këshillit të reflektojë metodologjinë e re, sipas të cilit, reformat në fushën e sundimit të ligjit do të luajnë një rol të rëndësishëm dhe kjo do të rrisë dhe influencën e Komisionit nga një anë dhe shtetet anëtare nga ana tjetër, të cilat kanë qenë kritike në të shkuarën lidhur me zhvillimet në Shqipëri pasi do të kenë më shumë ndikim mbi dinamikën e ngjarjeve dhe të dy palët do të fitojnë nga kjo. Po është gjithashtu e rëndësishme të nisim këtë rrugëtim dhe të dimensionojmë këtë proces pasi ne duhet të jemi të qartë se njerëzit nuk ushqehen me kapitujt e acquis, por duan të shohin që progresi është i prekshëm dhe që perspektiva europiane është shumë e qartë dhe është koha të flasim për anëtarësim në BE dhe jo për perspektivë evropiane.

Euronews: Çfarë mund ti sjellë Shqipëria BE-së dhe çfarë pret Tirana nga BE?

D.B: Sigurisht, Tirana pret që vlerat demokratike dhe standardet e BE-së të zbatohen në Shqipëri, kjo do të ishte shumë përfituese për shqiptarët. Në të shkuarën rajoni ka vuajtur shumë si pasojë e mungesës së ndërveprimit ekonomik me BE, gjithashtu jemi sfiduar në lidhje më vlerat demokratike dhe mënyrën se si ato janë zbatuar, dhe kjo është arsyeja pse na duhet më shumë Europa në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri. Gjithashtu kërcënimet demografike janë të papajtueshme me integrimin në BE. Ndaj, besojmë se ky integrim do të ofrojë një platformë të qëndrueshme për demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Nga ana tjetër, investimi në integrimin europian për BE është investim në fqinjësi, në oborrin e shtëpisë, në kuptimin e qëndrueshmërisë, sigurisë dhe stabilitetit demokratik. Pra, është koha e duhur të shohim këtë proces përmes një përgjegjësie historike, si një histori suksesi e dyanshme.

Euronews: Çfarë mësimi mund të marrë Shqipëria nga procesi integrues i Malit të Zi dhe Serbisë?

D.B: Kjo është pikërisht ajo që shpreha më parë, duhet të çmitizojmë procesin, të kemi një Europë më të pranishme në rajon dhe të zotërojmë pronësinë mbi procesi , sepse njerëzit nuk ushqehen me kapituj, ne nuk mund të ushqejmë njerëzit me pritshmëri se sa kapituj do të hapen por duhet të ngushtojmë hendekun zhvillimor mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Europian. Më lejoni tu marr një shembull. Në 1 maj, ne Europë u kremtua 17-vjetori i anëtarësimit të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE. Sot ato kanë arritur le të themi pak a shumë një moshë “të rritur” të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nga 2003 në samitin e Selanikut ne jemi ende në dhomën e pritjes prej dy dekadash. Tani është koha ta ngushtojmë këtë hendek dhe të flasim e të punojmë për finalizimin e projektit të BE, me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Na duhet një vizion , na duhet të shohim anëtarësimin në horizont.

Euronews: Ditmir Bushati, ish Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, faleminderit!

Tiranapost.al