Politikë

Emigracioni s'duhet të jetë më zgjedhja e detyruar e askujt. PS e krijuar për të bërë gjërat e vështira, populli gati ta mbështesë

Emigracioni s'duhet të jetë më zgjedhja e detyruar e askujt.

Nga prezantimi i programit ekonimik, kryeministri Rama tha se Shqipëria duhet medomemos të bëhet zgjedhja e parë e çdo shqiptari dhe emigracioni nuk duhet të jetë më zgjedhja e detyruar e askujt!

Edi Rama:

Shqipëria e ardhmja jonë, nuk është një sllogan elektoral, po një aspiratë kombëtare që do të motivojë qeverisjen dhe vendimmarrjet tona të kësaj dekade. Shqipëria duhet medoemos të bëhet zgjedhja e parë e çdo shqiptari dhe emigracioni nuk duhet të jetë më zgjedhja e detyruar e askujt. E lehtë dhe shumë e bukur ta thuash, e vështirë, shumë e vështirë ta bësh.

Rama tha se PS është krijuar për të bërë gjërat e vështira - vetë lindja e kësaj familjeje të madhe politike ka qenë e vështirë:

Por ne, Partia Socialiste, jemi krijuar për të bërë gjërat e vështira - vetë lindja e kësaj familjeje të madhe politike ka qenë e vështirë. Dhe historia e këtyre 30 vjetëve ka treguar se sa herë kemi marrë përsipër gjërat e vështira, populli ka qenë gati të na mbështesë. Sa herë i kemi rënë shkurt dhe mendjelehtësisht u kemi bërë bisht të vështirave, populli na ka lënë në baltën tonë.

Kryeministri shtoi se populli është gati të mbështesë PS: sepse populli e di që ne, jo vetëm nuk i kemi bërë bisht gjërave të vështira, po punët më të vështira kanë qenë edhe gjëja më e mirë që kemi bërë.

Rama:

Sot, kur mandati i dytë po mbaron dhe ne duam një mandat të tretë, populli është gati të na mbështesë, jo sepse ne kemi bërë gjithcka mirë apo se Sovrani nuk ka pakënaqësi ndaj nesh - ka dhe ka plot, e me të drejtë. Por sepse populli e di që ne, jo vetëm nuk i kemi bërë bisht gjërave të vështira, po punët më të vështira kanë qenë edhe gjëja më e mirë që kemi bërë.

Reforma e energjisë, që mbylli humnerën e krijuar nga vjedhja cerekshekullore e dritave; reforma e sistemit të qeverisjes vendore, që eliminoi 300 vatra vjedhjesh të pronave e shpërorimi të taksave të popullit përmes 300 komunash; reforma e shërbimeve për qytetarët, përmes Revolucionit Digjital; reforma e pronës, që është futur më në fund në rrugë të drejtë përmes ligjit të ri për pronën; Reforma e reformave, ajo e drejtësisë, që pas 100 vjetësh ka hapur shtegun e daljes nga kthetrat e gjykatave të korruptuara nga ideologjia më parë dhe nga paraja e zezë më pas; e të tjera akoma, gjëra të vështira që po të ishin nisur 30 vjet më parë, sot Shqipëria do ishte shumë ndryshe, por askush s'e pati vizionin e kurajon për t'i imagjinuar si të duhura e për t'i nisur si të mundura.

Sot, të tëra këto reforma kanë hyrë rrugë dhe rruga e tyre është e gjatë, e përpjetë, e mundimshme, por është e vetmja rrugë për ta cuar Shqipërinë në një nivel tjetër gjatë kësaj dekade. Dhe e vetmja forcë sot për sot, që mund ta bëjë realitet këtë gjë të vështirë, jemi ne, unë me Partinë Socialiste.

Sot, në fushën e ndeshjes së 25 prillit, janë përballë shqiptarëve një vizion për Shqipërinë e vitit 2030 dhe një program elektoral i njëjtë si sot 30 vjet. Vizioni ynë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e cdo shqiptari, mbështetet nga një Plan Veprimi 2021-2025, sektor për sektor, kategori sociale për kategori sociale, grupmoshë për grupmoshë. Ndërsa programi i tyre elektoral mbështetet nga një nevojë e vetme, nevoja për pushtetin si qëllim në vetvete, e jo si mjet për realizimin e qëllimeve të mëdha kombëtare e shoqërore.

Plani ynë i Veprimit është një program qeverisës, me objektiva konkretë, masa të studiuara, afate të përcaktuara. Programi i tyre elektoral është një menu e dëshirave të miletit, ta hajë kush ta hajë.

Tiranapost.al.