Politikë

Eduard Shalsi: Nuk mund të vijë në pushtet një opozitë që i ka vënë “shkopinj nën rrota” çdo reforme

Eduard Shalsi: Nuk mund të vijë në pushtet një opozitë

Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi në një intervistë për REPORT TV është shprehur se PD dhe LSI kanë vendosur “shkopinj nën rrotat” e çdo reforme në Shqipëri dhe veçanërisht kundër reformës më kritike në vend, asaj në drejtësi.

Shalsi ka shtuar se ndonëse opozita ka qenë destruktive në qasjen e saj përkundrejt qeverisjes marrëdhëniet e kryeministrit Rama me liderët europianë është optimale dhe Brukseli ndodhet më afër se kurrë për Shqipërinë.

Gjithashtu, ministri Shalsi ka shprehur keqardhjen që sipas tij Presidenti i vendit që supozohet të jetë neutral është pozicionuar kundër reformës në drejtësi dhe nuk ka qëndruar neutral në këtë cikël zgjedhor.

“Unë do ta pranoja një tezë të tillë nëse do të kisha para një opozitë që do të kishte reflektuar, një opozitë që nuk do të kishte vendosur vazhdimisht 'shkopinj në rrota' të gjitha reformave të marra. Kemi një konseguencë në vazhdimësi për kundërshtim të këtyre reformave. Madje kemi edhe deklaratat e një prej krerëve të opozitës, i cili duhet të ishte vetëm President i Republikës, kundër reformës në drejtësi. Falë gjithë këtyre reformave Shqipëria është me pranë se kurrë Bashkimit Evropian. Kurrë më parë një Kryeministër shqiptar nuk ka pasur raporte të tilla me liderët e Evropës. Kurrë më parë qeveria shqiptare nuk i ka pasur hapur dyert kaq shumë në Bruksel.”- ka thënë Shalsi në emisionin “Pa Protokoll”.

Tiranapost.al