Politikë

Edhe burrat me mllef e damkë në ballë nuk janë kundër Amerikës!

Edhe burrat me mllef e damkë në ballë nuk janë kundër

“Në Shqipëri s`ka forca anti-amerikane, as anti-europiane, edhe ndonjë me mllef për politikat e SHBA, siç tregoi Reforma në Drejtësi, prapë nuk e kanë me Amerikën madje as burrat me damkë në ballë…”, thotë Edi Rama në aktivitetin organizuar për 100 vjetorin e marrëdhënieve me Amerikën, duke nënkuptuar dy kundërshtarë, e tij, njërin armik, Sali Berishën dhe tjetrin Ilir Metën. Ky i fundit ishte në aktivitet i pranishëm, i ulur në rreshtin e ish-presidentëve.

“E mira është që në vendin tonë nuk ka një forcë të mundshme anti-amerikane apo dhe anti-europiane dhe edhe kur ka mllef, edhe kur ka ndjenjë hakmarrjeje, jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA-së, siç është mllefi dhe ndjenja e hakmarrjes ndaj reformës në drejtësi, kjo shfaqet në formën e një gare dashurie se kush e do më shumë Amerikën, madje deri në pikën që “ne e duam Amerikën më shumë se ambasadorët amerikane”. Ky është aspekti komik i historisë së kësaj marrëdhënieje, por nga ana tjetër edhe dhe shumë domethënës për faktin që s’ka dot këtu një burrë që ia thotë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sy ato që realisht mendon kur i dridhen gjunjët nga reforma në drejtësi apo kur i vjen tmerr të dalë nga shtëpia se i shikojnë damkën në lule të ballit. Gjithmonë, të gjithë jemi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa janë për marrëdhëniet me këto Shtete të Bashkuara të Amerikës, disa duan ato shtete të Bashkuara të Amerikës se janë pasardhës të Lincolnit apo të Rooseveltit edhe kanë probleme me nivelin”, tha Rama.