Politikë

E quajnë Zeus, Skënderbe, “brand”, Rama mbron ministret: Sa për “brandin” Fevzi, ti mos ji xheloz!

E quajnë Zeus, Skënderbe, “brand”, Rama mbron ministret:

Kryeministri Edi Rama ka “shpjeguar” sot për herë të parë disa prej deklaratave që e krahasojnë atë me epitete që janë kthyer në virale në rrjete sociale. Drejtuesi i Opinion Blendi Fevziu e pyeti në fund të emisionit se si ndihet kur rrethohet nga njerëz që bëjnë krahasime të tilla, por Rama është përpjekur të justifikojë disa prej tyre, veçanërisht ministren Edona Bilali për deklaratën e famshme të “Zeusit”, ndërsa e vetmja që pranoi se i ka pëlqyer dhe se shpreh realitetin për të cilin tha ai duhet të jetë krenar edhe çdo shqiptar është krahasimi i ish-ministres Milva Ikonomi me një “brand” Made in Albania.

Biseda e plotë në studio për deklaratat e ministreve të kabinetit Rama:

Blendi Fevziu: Një nga ministret ju thotë “Zeus që po vjen”, një tjetër nuk ju krahason tamam, që mos spekulloj, po gati-gati me Skënderbeun...

Kryeministri Rama: E ke atë të Zeusit?

(Transmetohet video e ministres Edona Bilali)

Fevziu: Je në rrugë për tu bërë Zeus

Kryeministri Rama: Shiko tani çfarë të bën media sot, shiko çfarë të bëjnë rrjetet sociale dhe shiko çfarë të bën pasja në disponim e gjithë llojeve të budallenjve që siç thonte Umberto Eco derisa doli interneti se njihte vetëm shtëpia e vet. Kjo intervistë është dhënë shumë vite më parë. Është shumë e rëndë që dhe ti këtu bën të njëjtën gjë. Ajo është një intervistë ironike nga fillimi në fund.

Blendi Fevziu: Ka një shpjegim të reporter.al që titullohet: Kulti i individit të Edi Ramës dhe citon Edona Bilalin, Elisa Spiropalin, Milva Ikonomin madje dhe Gramoz Ruçin e Rakip Sulin që “dora e Ramës është si dora e Zotit” dhe Tërmet Peçin që thotë “komandant” edhe Milva Ikonomin që thotë ai ka globin te koka.

Kryeministri Rama: S’mora përsipër këtu që të më sjellësh gjthë llojet e idiotësive. Kjo është idiotësi.

Blendi Fevziu: Si qenka idiotësi reporter.al?

Kryeministri Rama: Çfarë është reporter.al? Sikur po më flet për BBC! A ka mundësi tu jepni njerëzve mundësinë të shpjegohen? A e kupton çfarë po më bën mua sot? Më nxjerr mua ca burime që janë, jo të dyshimta, po qesharake.

Blendi Fevziu (cit Milva Ikonomin): “Unë shumë shpesh mendoj që nëse ka një “brand” aktual Shqipëria përtej kufirit, unë mendoj që “brandi që ka Shqipëria sot quhet Edi Rama.” Ti ndihesh mirë kur t’i thonë këto?

Kryeministri Rama: Pse nuk më lë që unë të shfrytëzoj këtë rast për t’i hequr gjithë atë baltë, gjithë ato pështyma që u hodhën mbi atë vajzën që po të shpjegoj, atë intervistë e ka dhënë shumë vite më parë dhe ajo intervistë është e tëra ironike. Unë Edona Bilalin e kam kërkuar ta njoh, sepse ishte një person i cili ishte kritik, ironik, cinik me mua. Po ndërkohë kisha dëgjuar fjalë shumë të mira për punën që bënte. Sa për “brandin” Fevzi, ti mos ji xheloz!

Blendi Fevziu: Ah, këtu e ndërpresim atëherë!

Kryeministri Rama: Jam patjetër!

Blendi Fevziu: Je për import, apo për eksport?

Kryeministri Rama: Jam në eksportin e një Shqipërie dinjitoze...

Blendi Fevziu: Tregoja kameras se unë tërhiqem!

Kryeministri Rama: Jam eksporti i një Shqipërie dinjitoze, i një Shqipërie, Kryeministri i të cilës i sheh të gjithë në sy, e shohin të gjithë në sy. I respekton të gjithë, po e respektojnë të gjithë dhe nuk guxon njeri ta trajtojë si vasal.