Politikë

'E dinte për non grata-n', Basha i përgjigjet Nishanit: Shpifje nga inati e mllefi personal

'E dinte për non grata-n', Basha i përgjigjet Nishanit:

Shpallja non grata e Sali Berishës ka shkaktuar reagime dhe debate edhe brenda Partisë Demokratike. Ish presidenti Bujar Nishani deklaroi mbrëmë se Lulzim Basha ka pasur dijeni për shpalljen non grata të Berishës, dhe për këtë arsye vendosi shpejt për datën e zgjedhjeve brenda PD.

Bujar Nishani:

Lulzim Basha e dinte se Berisha do të shpallej “non grata”. Kjo çështje ka krijuar një lloj shoku politik brenda PD-së, sepse Berisha është themeluesi dhe lideri historik. Jam i bindur që Basha ka afruar datën e zgjedhjeve sepse ka patur dijeni për shpalljen “non grata” të Berishës.

Deklaratës së tij, Lulzim Basha iu përgjigj me fjalët shpifje. Ai shkruan se hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit.

Lulzim Basha:

E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj.

Ndërkaq, edhe Sali Berisha u pyet mbrëmë lidhur me deklaratën e Bujar Nishanit. Berisha tha se i takon Bashës të sqarojë lidhur me datën e zgjedhjeve në PD, ndërsa shtoi se vetë ai u habit me shpalljen e datës dhe se kur humbi zgjedhjet mori përgjegjësinë e tij duke dhënë dorëheqjen.

Sali Berisha:

Në situata të tilla janë të pashmangshme qarkullimet e mendimeve të ndryshme. Së pari, ato që thotë zoti Nishani, për të cilin kam respekt të padiskutueshëm dhe ai ka qenë dhe është, për kohën, një nga bashkëpunëtorët më të shkëlqyer, personalisht, përveç fjalëve në ajër, nuk kam asnjë të dhënë konkrete. Të marrim pak nga ana tjetër, se duhet të jemi racionalë në arsyetim: që të ketë ndikuar Lulzim Basha në këtë proces, unë nuk e besoj. Më befasoi data 13 qershor, unë prisja shtyrje, jo afrim të datës së zgjedhjeve për kryetarin e partisë. I takon atij ta sqarojë. Unë kur humba zgjedhjet dhashë shembullin tim me dorëheqjen.

----

*Bujar Nishani bëri deklaratën e tij në News 24.

*Lulzim Basha reagoi në Facebook

* Sali Berisha bëri deklaratën në Tv Ora News.

Tiranapost.al.