Ditmir Bushati: Rezonoj me shumë socialistë dhe ata që duan një politikë normale pa krim e korrupsion

Ai thotë se i ka në tavolinë të gjitha format e angazhimit të tij në politikë kur pyetet konkretisht se çfarëdo të bëjë nga gazetarja Erla Mëhilli, e cila i kujton se sot është veç një anëtar i PS, pa asnjë funksion.
Bushati i ftuar në ‘Now me Erla Mëhillin’ për hapjen e kapitullit të negociatave, më fund u pyet disa herë për përjashtimin e tij, nga çdo funksion në parti dhe për planet për të ardhmen. Ish-ministri i Ramës ka artikuluar këto ditë më qartë arsyet e largimit të tij duke thënë se po paguan kostot e disa qëndrimeve të mbajtura.
Por ai thotë se nuk ka ndërmend të tërhiqet e do të vazhdoj t’ju flasë socialistëve dhe çdo njeriu normal në këtë vend që kërkon një politikë normale
Pjesë nga intervista:
Erla Mëhilli: Ju përveç se jeni anëtar i PS, keni mbetur pa asnjë funksion tjetër?
Ditmir Bushati: Po
Erla Mëhilli: Dhe keni deklaruar që po mbani koston e qëndrimeve. Çfarë kostosh, fakti që ju nuk jeni afruar më të keni një funksion?
Ditmir Bushati: Kjo është një çështje që gjithsecili e di, dhe është shumë e qartë sepse nuk ka asnjë lloj mendimi të dytë ose të tretë për këtë çështje.
Erla Mëhilli: Po kosto për çfarë, për deklaratat që ju keni mbajtur ndryshe nga PS?
Ditmir Bushati: Po ju mund t’ju referoheni arkivave këtu dhe jam e bindur që do të keni të gjitha përgjigjet për këtë çështje. Nuk është se po themi ndonjë lajm të ri këtu.
Erla Mëhilli: Keni ndonjë komunikim?
Ditmir Bushati: Çështja është se në botëkuptimin tim pavarësisht se mund të duket shumë naive, për ditët që jetojmë, partitë politike janë të mira publike dhe partitë politike janë hapësira ku njerëzit debatojnë, bien në sy, kanë ide, grupohen rreth një ideje, rreth një individi dhe kështu me radhë. Edhe pse në botë ti e kupton se kush është progresist, kush është liberal, kush është demokrat, kush është i qendrës së djathtë, kush është konservator djhe kush është edhe më djathtas se konservatorët nga bindjet dhe nga deklaratat që bëjnë. Partitë politike është si puna e pallatit tim kanë nevojë për disa rregulla që normojnë bashkëjetesën demokratike. Kjo është arsyeja që unë e them që PS që unë hyra, në bazë të ftesës së Edi Ramës dhe për shkak të bindjeve të mia të qendrës së majtë, vlerat, botëkuptimi, fakti që kam pas studiuar me bursa në perëndim, pra më është dashur të luftoj për këtë gjë. Më duhet të them se i ngjante në leximin tim naiv, Athinës së Dikurshme. Nuk ishte Partia më e bukur në botë, por ishte një parti ku kishte pluralitet mendimi. Ku kishte një lloj debati, veprimi. Ku kishte një respekt dhe një balancë relativisht të drejtë mes individuales dhe kolektives. Sot për fat të keq ngjan me Spartën e Dikurshme. Dhe për sa i përket kostos unë mund të them se unë nuk kam asnjë brejtje ndërgjegje. Kam menduar dhe mendoj se me qëndrimet që kam mbajtur dhe mbaj, i kam shërbyer në radhë të parë besimit të socialistëve dhe besimit të qytetarëve shqiptarëve në funksionin shtetëror, që është më shumë se funksioni partiak. Dhe jam përpjekur për të balancuar dinjitetin, integritetin personal, interesat e socialistit, por mendoj edhe demokratit dhe qytetarit të zakonshëm, pavarësisht kostove. Por kjo nuk më pengon që të vazhdoj aktivizmin tim politik, publik, për të thënë gjëra që mendoj se rezonojnë me shumë socialistë, me shumë demokratë , me njerëz që duan të përqafojnë një jetë politike më normale, me ata që duan të përqafojnë progresin, me njerëz që nuk e pranojnë influencën e krimit dhe të korrupsionit.
Erla Mëhilli: Çfarë plani keni tani?
Ditmir Bushati: Çdo gjë në vendin dhe kohën e duhur. E rëndësishme është që ajo që unë kam marrë, qoftë nga Partia Socialiste, nga njerëzit, nga taksapaguesit, sepse në fund të ditës ka qenë nder, detyrë, por edhe një lloj investimi që partia, shoqëria ka bërë ndaj meje. Dhe unë do ta vazhdoj raportin tim me partinë, shoqërinë dhe njerëzit. Këtë kam bërë edhe po bëj me forma nga më të ndryshmet. Të gjitha format janë në tryezë, asgjë nuk përjashtohet
Erla Mëhilli: Keni një komunikim sot që flasim me Kryeministrin Rama?
Ditmir Bushati: Gjithmonë ma bëni këtë pyetje po asnjëherë nuk do të merrni një përgjigje. Unë kam gjithnjë respekt për privatësinë e komunikimeve. Ndërsa çështjet publike janë çështje që unë i ndaj me opinionin public.