Politikë

Versioni i Metës për emrin e tij në dosjen e sigurimit: Njoh 50 me këtë emër në Shqipëri. Nga e dini që jam unë?

Versioni i Metës për emrin e tij në dosjen e sigurimit: Njoh 50

Ish presidenti, Ilir Meta, kryeministër dhe ministër i jashtëm, dhe kryetar parlamenti me shumë poste të larta në 30 vjet pluralizëm është përfshirë 24 orët e fundit në një histori të padëgjuar më parë, si një ish student që ka spiunuar shokun e tij të klasës.

Dokumenti që i shkoi parlamentit pas një letre drejtuar Autoritetit të Dosjeve solli sot edhe një reagim publik të kryetares së parlamentit Lindita Nikolla, e cila tha se dokumenti që ata kanë në duar bën fjalë për shtetasin I.M me poste të larta, është tronditës. Vetë Meta ka dhënë versionin e tij të historisë, duke nisur nga koha kur ishte student, notat, statusi në fakultet dhe shokët e kursit.

“A ka njeri që e beson këtë gjë? U ngrit parlamenti në këmbë? Po cili? Ai me në krye Nikollën? Lindita e Ramës që përdoret për nevojat e tij personale siç është urgjenca për të spostuar vëmendjen nga afera më e zezë dhe më flagrante.

Parlamenti është parlament patronazhistësh, i korruptuar dhe plot me lulushë në opozitë. Qenkan shqetësuar për një email anonim. Cili parlament është ky?

Sa I.M kanë qenë në Fakultetin e Ekonomisë? Sa I.M kanë qenë në klasën ku kam studiuar unë? Unë në atë kohë kam qenë vetëm sekretat e Fakultetit të Ekonomisë. Isha zgjedhur që në vit të dytë, se isha me 10-ta e se isha që atëherë lider.

Unë njoh nja 50 Ilir Metaj. Në klasën time kemi qenë dy Ilir Metaj. Një njeri korrekt, që jam i sigurt që s`ka qenë as ai. As për shkak të pozicionit të prindit të tij, se s`dua të flas më tej.

Kështu që për çështjen në fjalë dua të siguroj gjithë qytetarët se Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhim. Jo se s`ka bërë gabime, por është këtu sepse ka qenë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe të vërtetat e tij. Jo vetëm kaq, por do vazhdoj edhe për 30-40 vitet e ardhshme. Ëndrra ime tani është të bëhem kryetar i referendumit.

Nuk ekziston më për mua Autoriteti i Dosjes. Do ta shikoni se si do të mbarojë kjo çështje. Emrat e tyre do gdhenden”, tha Meta.

Si nisi historia?

Një document nga Autoriteti i Dosjeve mbërriti dje në adresën e Kryetares së Kuvendit Lindia Nikolla, Në të shkruhej se një politikan i nivelit të lartë ka punuar për sigurimin e shtetit. Inicialet e tij ishin I.M. Kaq dihej dje.

Takimi i kryeparlamentare Nikolla me krerët e grupeve parlamentare

Lindita Nikolla sot mblodhi në takim kokë më kokë krerët e grupeve parlamentare: Taulant Ballën, Fatmir Mediun dhe Enkelejd Alibeajn. I vuri në dijeni të dokumentit.

Bërja publike e dokumentit ku shkruhet “Ilir Meta”

Pak orë më vonë mediat publikuan dokumentin ku përmendet emri Ilir Meta, si punonjës ish-sigurimit të shtetit.

Deklarata e saj për mediat

Nikolla doli në një deklaratë për mediat ku foli për rastin, pa përmendur Ilir Metën. Ajo tha: Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I.M, si edhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.

"Dua ta falënderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë, të pavarur dhe profesional, si edhe për kurajon në adresimin e këtij rasti, i cili ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike. Në respekt të ligjit dhe ndjeshmërisë së lartë të këtij rasti vërtetë tronditës, nuk mund të flas më shumë në këtë faze”.

Deklarata e Metës për mediat

Më pas Meta doli në një deklaratë për mediat me tone të ashpërsuara.

Reagim për Nikollën:

“Doli ajo pula e kuvendit aty, se ajo s`ka dinjitet, përderisa e përdor ai. Më vjen keq se unë e kam respektuar. Pse s`më merrte dot në telefon ajo? Po ça do presësh me mesatare 5.5. E patë ç`i bënë studentët. Se kam pasur gjithmonë respekt”.

Komenti për Autoritetin e Dosjeve:

“Nuk ekziston më për mua Autoriteti i Dosjeve. Është autoriteti i manipulimit dhe kriminalizimit të dosjeve. Ju do ta shikoni sesi do të përdundojë kjo histori. Emrat e tyre do të gdhenden në shtyllën e turpit, sepse për një çështje kaq personale që ka të bëjë me nevojat personale të një të marri dhe të sëmuri psiqik, se është edhe psiqik veç të tjerave dhe atyre deleve në parlament… na qenka shqetësuar parlamenti i patronazhistëve”.