Politikë

BE kundër projektit të qeverisë shqiptare për skemën e shtetësisë për investitorë

BE kundër projektit të qeverisë shqiptare për skemën e

Delegacioni i Bashkimit Europian në një reagim për BIRN thotë se projekti i qeverisë shqiptare për skemën e shtetësisë për investitorë bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe përbën rrezik për Shqipërinë dhe për Unionin.

Delegacioni i BE-së theksoi gjithashtu se ky qëndrim u ishte bërë i qartë edhe autoriteteve shqiptare përmes disa raporteve të Komisionit Europian, raportit të tretë dhe të katërt për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave si dhe në disa takime të zhvilluara me zyrtarë të BE-së gjatë viteve të fundit.

Reagimi i delegacionit të BE:

“Komisioni ka ndërmarrë masa të forta kundër skemave të shtetësisë për investitorët brenda dhe jashtë BE-së. Komisioni i konsideron këto skema në kundërshtim me ligjet e BE-së, pasi ato shkelin parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe konceptin e shtetësisë së BE-së.

Aplikimi i këtyre skemave nga vendet e treta me qasje pa viza në Bashkimin Evropian e shqetësojnë Unionin, pasi mund të përdoren për të anashkaluar procedurën e rregullt të vizave për qëndrim të shkurtër të BE-së dhe vlerësimin e thelluar të rreziqeve individuale migratore dhe të sigurisë që kjo sjell.

Me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë më 19 korrik, Komisioni Evropian pret që autoritetet shqiptare të përafrohen gradualisht me acquis dhe t’i shmangen devijimit prej saj”.

Në kontekstin edhe të agresionit rus kundër Ukrainës Delegacioni i BE-së kujton gjithashtu se Komisioni u ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së që të ndërpresin menjëherë skemat e shtetësisë për investitorët.

Vendimi i Qeverisë

Përmes një vendimi të miratuar më 29 korrik, qeveria i hapi rrugën punësimit të një kompanie ndërkombëtare për promovimin e e pasaportës shqiptare në botë. Vendimi parashikon “zbatimin e procedurave të koncensionit partneritet publik/privat në programet e shtetësisë”, duke e futur këtë sektor si fushë të re në ligjin e koncensioneve.