Politikë

Basha u kërkon ndjesë pronarëve shqiptarë për problemet edhe nga qeveria e PD: Por ne ju kemi dalë zot

Basha u kërkon ndjesë pronarëve shqiptarë për problemet

Prezantoi programin për pronat, ku tha se ligji i qeverisë Rama për një shpronësim të dytë është anti-kushtetues dhe anti-ligjor dhe se ai ligj do të shfuqizohet. Kreu i PD-së Lulzim Basha u kërkoi ndjesë pronarëve shqiptarë, për vonesat dhe problemet e tyre me pronat që zvarriten prej 30 vitesh: Edhe ndaj përgjegjësive tona të papërfunduara, thotë ai.

Basha premtoi se do shfuqizohet ligji aktual për pronat dhe prioritet sipas tij do jenë: Kthimi i pronës, kompensimi fizik dhe aksione në fonde të investimeve publike sipas marrëveshjes me pronarët e shpronësuar. Do ketë kuadër të ri ligjor dhe hartë unike kadastrale. Do ngrihet agjenci e re anti-korrupsionit.

Lulzim Basha:

Unë e kam thënë publikisht dhe dua ta përsëris sot edhe një herë publikisht, ju lutem të nderuar pronarë të Shqipërisë pranojeni këtë dhe si një ndjesë, në emër të Partisë Demokratike për vonesat, për problemet me të cilat jeni hasur në rrugën tuaj në kalvarin tuaj 30-vjeçar edhe për shkak të përgjegjësive tona të papërfunduara. E them këtë me gjithë vetëdijen që jam drejtuar edhe përndjekurve politik, me vetëdijen se as të përndjekurit dhe as pronarët nuk kishin dhe nuk kanë ku ta kërkojnë drejtësinë e munguar këto 30 vite përveçse tek shtëpia e lirisë, kjo është Partia Demokratike. Edhe sikur disa prej gabimeve dhe shtrembërimeve dhe mosveprimeve mos të kishin ndodhur gjatë qeverisjes tonë, që në fakt kanë ndodhur gjatë disa viteve të qeverisjes tonë, prapë se prapë kjo do të ishte një ndjesë e merituar sepse ne ju kemi dalë zot dhe ne duhet t’ju dalim zot deri në fund pronarëve dhe të përndjekurve politik.

Këtë ndjesë natyrisht e kemi shoqëruar me gatishmërinë tonë për të hedhur të gjitha hapat e nevojshëm politikë dhe pas 25 prillit ligjor dhe financiar për të korrigjuar dhe zgjidhur problemet e shkaktuar gjatë këtyre viteve dhe të akumuluara e të shumëfishuara gjatë qeverisjes së padrejtë dhe grabitqare të këtyre tetë viteve.

*Tiranapost.al.