Politikë

Basha nga Kavaja: Atentat kundër demokracisë! Nuk na trembin dot, në 25 Prill përgjigjemi me votë

Basha nga Kavaja: Atentat kundër demokracisë! Nuk na trembin dot,

Kreu i PD, Lulzim Basha ka mbajtur një fjalë jashtë selisë elektorale të kësaj partie në qytetin e Kavajës ku pak orë më parë u qëllua me armë zjarri një aktivist nga një person me precedent penal.

Basha është shprehur se ngjarja ka qenë atentat kundër demokracisë dhe se të tilla ngjarje ndodhin sa herë që largohen diktaturat, duke thënë se PD nuk e trembin dot dhe se ndryshimi do të vijë me votë në 25 Prill.

“Sonte Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë. Një atentat kundër Partisë Demokratike, kundër aleancës për ndryshim nga një kryeministër që e di që të dielën ai humb dhe Shqipëria fiton. Një njeri që ka humbur çdo lloj kufiri njerëzor dhe që sot hesht, ndërkohë që njerëzit e tij me dhunën dhe aktet ndaj demokracisë tregojnë se kësaj qeverie i ka ardhur fundi. Kërkojnë të frikësojnë Kavajën, kërkojnë të na frikësojnë ne demokratët dhe të na mbyllin gojën. Nuk na e kanë mbyllur gojën kurrë dhe përgjigjen do e japim me votë. Kavaja e di shumë mirë se këto akte dhune shoqërojnë ndryshimet e mëdha dhe rëniet e diktaturave. E bashkuar dhe e vendosur më shumë se kurrë është Kavaja, PD, Aleanca për Ndryshim, Shqipëria dhe shqiptarët. Le t’ia japim përgjigje këtij akti burracak, këtij atentati kundër demokracisë në 25 Prill dhe t’i japim fund kësaj qeverisjeje “makth”. Të kthejmë Shqipërinë e shpresës dhe guximit të gjithë së bashku. Të gjithë së bashku të ecim përpara pa frikë për t’i dhënë përgjigje këtij atentati.”- ka thënë Basha para qindra militantëve të grumbulluar në Kavajë.

Tiranapost.al