Politikë

Argumenti i shitjes së votës për të mbrojtur Bashën, Kadilli: Atëherë, ndërrojmë popullin por jo kryetarin

Argumenti i shitjes së votës për të mbrojtur Bashën,

Në mbledhjen e Kryesisë që u thirr nga kryetari i PD, Lulzim Basha i vetmi zë hapur kritik kundër tij ka qenë nga kandidati i vetëshpallur për të marrë drejtimin e demokratëve Fatbardh Kadilli i cili, ka replikuar me të duke e fajësuar personalisht me tone të ashpra për disfatën e radhës të së djathtës dhe duke thënë se vendimet e tij për të braktisur zgjedhjet lokale dhe parlamentin ishin katastrofike:

“Nuk je i pazëvendësueshëm. PD ka shumë njerëz të mirë. Jep dorëheqjen e parevokueshme. Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Fushatën e bërë i vetëm. Nuk mbështete asnjë njeri. Janë bërë shumë gabime në fushatë. Problemet në zgjedhje nuk duhet të justifikojnë humbjen. Për një pjesë të problemeve je vet përgjegjës. Për një pjesë tjetër, ke qenë i pazoti t'i ndalosh. Lufta për votën bëhet brenda sistemit. Kjo luftë do vazhdojë sa herë të ketë zgjedhje. Në luftën për votën ke pasur më shumë sukses brenda sistemit se sa jashtë sistemit. Në 2015-n kemi qenë më mirë se në 2021 dhe këto dukshëm më mirë 2017, apo dhe më keq, nga 2019. Nuk je aspak i nevojshëm për luftën institucionale për votën. Kemi ekipin më të mirë dhe ekspertizë të shkëlqyer. Ata që na dhanë fitoren tënde në 2011-n. Luftën politike e bëjmë me një koncept te ri, me qasje të re dhe me frymëzim të ri, me besueshmërinë, me vërtetësinë dhe me vendosmërinë si tipare që ty të kanë munguar.”

Megjithë deklaratat e Kadillit, raportohet se Basha i është përgjigjur thjesht me një "faleminderit", duke mos lënë vend për dialog apo shkëmbim idesh në një nga forumet më të larta të PD.

Mbetet për t’u parë nëse shpalljen zyrtare të garës do ta bëjë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD që do të zhvillohet më vonë gjatë ditës së sotme. Tashmë është evidente që Basha nuk do të japë dorëheqje duke përdorur si justifikim pretendimin për “masakër elektorale”, megjithatë sipas Statutit të PD, mandati i tij mbaron në Korrik dhe do të duhet të ketë zgjedhje për kryetar.

Tiranapost.al