Politikë

Basha denoncon live se po fshihet numri i viktimave nga Covid, Rama: Ka jo pak njerëz që flasin në hava

Basha denoncon live se po fshihet numri i viktimave nga Covid, Rama: Ka jo pak

Opozita akuzon se po fshihet numri i viktimave nga Covid për motive politike. Akuza u përsërit live nga kryedemokrati Basha në Opinion, i cili i bëri thirrje prokurorisë të nisë hetimet. 'Po bëhet politikë me Covid-in', tha Basha.

Ndërsa kryeministri Rama i cili ndodhet përballë gazetarit Sokol Balla, tha se ka jo pak njerëz që flasin në hava gjatë gjithë kohës. 'Statistikat s'i prodhon qeveria', tha kryeministri i cili shtoi se: 'mund të ishim dhe më keq se sa jemi, por fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur'.

Edi Rama:

Për fat të keq ka jo pak njerëz që flasin në hava dhe që merren me gjysmëinformacione e gjysmë të vërteta gjatë gjithë kohës. E rëndësishme të theksohet është se qeveria nuk bën gjë tjetër veçse dëgjon me vëmendje ata që kanë mandatin shtetëror për të dëgjuar dhe s'janë gazetarët, gjithologët por ekspertët e komitetit teknik dhe mbështet të gjitha orientimet e tyre.

Statistikat s'i prodhon qeveria. Këtu jetojmë në një kohë shumë të keqe për t’u përballur me këtë mortje, se jetojmë në kohën kur faktet duhet të bëjnë luftë të madhe për të mbijetuar përballë shpifjeve. Ne nuk jemi asgjëkundi në asnjë të dhënë më keq se sa e gjithë bota. Mund të ishim dhe më keq se sa jemi, por fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur, pasi janë bërë gjërat e duhura dhe janë hedhur hapat e duhur në këtë proces të vështirë, që ka sfiduar gjithë botën. Faktikisht, kur Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Greqia, gjenden në prag të kolapsit të spitaleve është e pakuptueshme se si mund të diskutohet në Shqipëri a thua se kjo e keqe po i ndodh vetëm Shqipërisë dhe se njerëzit po vdesin vetëm këtu.

Numri i vdekjeve në Shqipëri është për fat të mirë është ku e ku më i ulët se në vendet që përmenda më lart dhe është nën mesataren e vet rajonit.