Bajram Begaj në Prishtinë: Liberalizimi i vizave për Kosovën, premtim i vonuar!

Presidenti Bajram Begaj po zhvillon vizitën e parë zyrtare në Kosovë, pas marrjes së mandatit. Gjatë konferencës së përbashkët me homologen Vjosa Osmanin, Begaj shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, ndërsa theksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar nga Perëndimi.
“Jam shumë i lumtur për ftesën tuaj. Vij në shtëpi. Në shtëpinë e shqiptarisë. Aty ku shtëpia është e zotit dhe e mikut. Dy dialekte dhe një gjuhë. Dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë patriotike për rrugën drejt Brukselit.
Së bashku fituam luftën dhe bashkë do të luftojmë për të ruajtur paqen. Kjo është motoja në çdo kulm kulle dhe çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Dardani.
Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijim e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë dhe identitet kombëtar nuk do arrijë të zbehë përpjekjen. Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO.
UÇK faqe e ndritur që bën krenar çdo shqiptar. Hapja e negociatave me BE për Shqipërinë një hap shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar. Unë sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave për Kosovën”, u shpreh Begaj.