Politikë

Ambasada amerikane dhe britanike dënojnë sulmet e Ilir Metës ndaj SPAK

Ambasada amerikane dhe britanike dënojnë sulmet e Ilir Metës ndaj

Ambasada amerikane dhe britanike në Tiranë ka reaguar në lidhje me deklaratat e ardhura nga politika kundër SPAK.

Përmes rrjeteve sociale ambasadat ritheksojnë mbështetjen e fortë për SPAK-un dhe dënojnë sulmet politike.

Këto reagime erdhën pasi kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha që kreu i SPAK, Altin Dumani, kishte nisur hetimet ndaj tij, pas një takimi që ai kishte pasur me ish-shefin e FBI-së nën hetim, Charles McGonigal.

Dumani iu përgjigj akuzave të Metës duke thënë se nuk e ka takuar kurrë McGonigal.

Deklarata e Metës: SPAK-u ka nis hetim në dhjetor 2019, sipas të dhënave të mia edhe pas takimeve të Dumanit me McGonigalin. Dhe pse ka nisur në dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur? Sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës.

Reagimi i ambasadës amerikane: Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

Reagimi i ambasadës britanike: Ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ambasadori konfirmoi në takimin e përbashkët të donatorëve të SPAK, javën e kaluar, angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar asistencë shtesë dhe ngritjen e kapaciteteve për punën e SPAK, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani dhe Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA), si dhe hetimet e përbashkëta me agjencitë e tjera ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.