Politikë

Alfred Peza ndan detajet e takimit me Ramën: Më erdhi mirë për vlerësimin që më bëri me ofertën për të kandiduar, por...

Alfred Peza ndan detajet e takimit me Ramën: Më erdhi mirë

Ish-deputeti Alfred Peza me anë të një statusi në profilin e tij në Facebook ka ndarë detajet e takimit të tij me kryeministrin Edi Rama. Peza shkruan se Rama i kërkoi të rreshtohej në listën e kandidatëve për deputet të PS dhe se kjo kërkesë ka ardhur si pasojë e kontributit të tij në debatin publik pa e shkelur etikën dhe pa u bërë "partizan".

Megjithatë, Peza thotë se e ka refuzuar kërkesën e Edi Ramës dhe ka gjykuar se profesionalisht ky nuk është momenti për të qenë pjesë e parlamentit, ndonëse mbetet në mbështetje të qeverisë Rama dhe ndihet i nderuar që ka përfaqësuar vullnetin e votuesve shqiptarë në të shkuarën.

Statusi i plotë i Alfred Pezës:

Të dashur miq!

Sapo mbarova një takim me Kryeministrin Rama dhe kam dëshirë të ndaj me ju arsyen dhe përfundimin e takimit.

Kryeministri më kërkoi gatishmërinë për të qenë pjesë e skuadrës së deputetëve, për zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke vlerësuar kontributin tim si deputet më parë dhe si person i angazhuar në debatin publik më pas.

Më erdhi mirë që në vlerësimin e tij, ai nënvizoi se në debatin publik kam kontribuar jo si "partizan", po si qytetar i angazhuar. Natyrisht me bindje e kahje në mbështetje të punës së kësaj maxhorance, por pa e shkelur kurrë etikën dhe pa i hyrë kurrë në hak partizançe palëve të tjera.

E falenderova Edi Ramën për këtë interesim, që e konsideroj të posaçëm pasi nuk është në stilin e punës së tij! U ndjeva mirë duke e ditur edhe që listat janë plotësisht në dorën e drejtuesve të qarqeve, deri kur ata të vijnë nesër në zyrën e Ramës në PS para mbledhjes së kryesisë në mbrëmje.

Por refuzova:-)

I thashë kryeministrit dhe po ju'a them të gjithëve se jam ndjerë i privilegjuar që kam përfaqësuar edhe më parë, vullnetin elektoral të qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Por karrigia e deputetit nuk është për mua në këtë fazë të jetës dhe aktivitetit tim!

Unë do të qëndroj në krah të Edi Ramës sepse besoj tek ai dhe puna e tij, pavarësisht nga pozicioni që mund të kem në raport me sfidat e maxhorancës që do të rikonfirmohet me siguri në 25 prill. Ka plot të tjerë PS, që e duan më shumë se unë dhe e bëjnë po aq mirë apo më mirë se unë punën e depuetit, kështu që më shumë kënaqësi vendin tim ia lë kujtdo prej tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Mbetem si gjithmonë i përkushtuar për të dhënë kontributin tim maksimal, për këtë familje politike, ku jam ndjerë mirë që ditën e parë dhe do të jetë kënaqësi e krenari për mua të anazhohem krah miqve deputetë, qoftë në fushatë dhe qoftë në çdo sfidë të terrenit pas fitores!

Urime dhe suksese te gjithëve!

Së bashku për Shqipërinë!

Tiranapost.al