Politikë

Agron Duka: PD të bëjë zgjedhje për lidershipin e ri dhe të analizojë gabimet

Agron Duka: PD të bëjë zgjedhje për lidershipin e ri dhe

Kreu i Partisë Agrare Ambjentalist që ka garuar në listat e PD përgjatë dy zgjedhjeve të fundit parlamentare, Agron Duka ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit dhe strategjinë që partia më e madhe e opozitës duhet të ndjekë për të mos humbur sërish.

I ftuar në emisionin “Top Talk” Duka ka thënë se PD duhet të bëjë një analizë për humbjen dhe të riorganizohet për të ardhmen, çka sipas tij nuk mund të bëhet pa bërë zgjedhje për kryetar. Në përgjigje të akuzave se ai dhe partia e tij nuk kanë kontribuar mjaftueshëm me vota në 25 Prill, Duka kujton se ka mundur me vota preferenciale demokratë me profil të lartë si Edi Paloka dhe Oerd Bylykbashi dhe kandidatët e PAA në 3 qarqe sollën më shumë se 10 mijë vota.

“Kush s’ka prodhuar vota, unë? Unë kam bërë 4781 vota, janë të mjaftueshme. Jam sipër Palokës me vota, Oerd Bylykbashit…jam i treti në listë. Gjithsej kemi marrë 10 mijë e ca vota në tre qarqe. Te lista e Durrësit, kryetari i PD, Xhaferri ka 6 mijë e ca. Unë them se PD që është ajo që udhëheq opozitën, duhet të shikojë dhe të analizojë gabimet e veta. Nëse nuk i analizon gabimet e veta, e ardhmja është e errët. Basha duhet patjetër të ribëjë zgjedhje të lira në Partinë Demokratike. Për mendimin tim, marr guximin ta them, duhet të bashkohen të gjithë demokratët, duke filluar nga më i vjetri deri te më i riu. Të bashkohen dhe të zgjedhin lidershipin e ri të PD, që mund të jetë dhe Basha, nëse rifiton prap. Kështu me artifica, unë kam frikë se i shtojmë jetën mazhorancës”- ka thënë Duka për gazetarin Denis Dyrnjaja.

Kujtojmë se Duka ka qenë nga të parët eksponentët e opozitës që ka njohur zgjedhjet dhe ka uruar Edi Ramën për fitoren duke thënë se sukseset e qeverisë janë në benefit të gjithë shqiptarëve.

Tiranapost.al