A po i jep mesazh kryeministri Vuçiçit nga Brukseli?

Kryeministri Edi Rama dje dhe sot ka ndryshuar qëndrim në lidhje me Kosovën. Nese deri para pak ditësh kryeministri ka folur për paqe, dialog dhe sakrifica nga të dy palët në konflikt, si Serbia dhe Kosova, tani duke kritikuar qëndrimin e Borrell, po mban anë. Edhe pse ende s’ka bërë asnjë mesazh drejtuar Vuçiç, kryeministri shqiptar po tregohet kritik dhe siç thotë vetë për herë të parë në 10 vitet e fundit Shqipëria nuk linjëzohet me Brukselin në lidhje me Kosovën.
Fjala e kryeministrit:
Për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së. Ky fakt ka sjellë një përshtjellim të kuptueshëm të BE-së pasi ia kemi çuar me shkrim.
Konrretisht bëhet fjalë për vrasjen e policit të Kosovës dhe shpalljen ditë zie në Serbi për vrasjen e terroristëve.
Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë dhe se deklarata e djeshme ishte në fakt konfirmimi nga blloku i vendeve anëtare të BE, nga shefi i diplomacisë Borrell pas takimit të dështuar të 14 shtatorit mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Ne jemi shprehur se nuk kemi asnjë rezervë në lidhje me kërkesat e BE-së për Kosovën. Kosova duhet t`i përmbushë, por njëkohësisht kemi thkesuar domosdoshmërinë që publikimi i kësaj deklarate duhej të bëhet njëkohësisht ose të paktën të pasohej pa humbur kohë nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme nga zhvillime që kishin ndodhur. Na u tha se kjo nuk ishte e mundur dhe se deklarata kritike e Kosovës kishte marrë aprovimin e vendeve të BE-së.
Na u tha të linjëzohemi me këtë, por jo. Për herë të parë në 10 vitet e fundit ne nuk linjëzohemi me Brukselin.
Nuk është pritur mirë nga Brukseli.
Megjithatë sot kam dalë për të shprehur shqetësimin tejet serioz, si asnjëherë më parë në këto 10 vjet, për rrezikshmërinë në veriun e Kosovës. Ajo që kërkojmë sot nuk është rezultati i një hetimi që është i mirëseardhur. Po është dënimi pa ekuivokë i vrasjes së një efektivi të policisë në veriun e Kosovës nga një grup kriminal dhe gjithashtu dënimi i aktit absurd të nderimit kombëtar në Serbi të disa kriminelëve të veshur me uniforma ushtarake, jo shtetërore, të armatosur gjer në dhëmbë për të demonstruar forcë. E kam paralajmëruar prej kohësh mundësinë e shtjellimit të këtij skenari tragjik dhe fatkeq në veriun e Kosovës, qoftë nga kjo tryezë, qoftë në instanca më të larta qeveritare. Jo se jam më i mençur se të tjerët, se nuk jam. As se kam ndonjë dhunti që të lexoj të ardhmen, se nuk e kam. Po thjesht sepse nuk jam aq i zënë me hallet e gjithë botës siç janë të mëdhenjtë e kësaj bote e as nuk jam i mbyllur brenda qerfullit të së shkuarës siç janë të mbyllur për arsyet e tyre të ndryshme, qoftë udhëheqësit e sotëm të Kosovës, qoftë udhëheqësit e sotëm të Serbisë.
BE thotë se kërkon më parë një hetim për ngjarjen, pastaj të dalë në një deklaratë.
Do të ishim dakord me këtë nëse Serbia do të ishte distancuar nga ngjarja për t`i hapur rrugën një hetimi serioz.
Atëherë çfarë hetimi pret BE? Nga kush?