Aktualitet

Policia e akuzon për vrasjen e Devi Kasmit, avokati tregon lidhjen e Eftimiut me viktimën

Avokati Sajmir Visha ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e policisë lidhur me klientin e tij, grekun Eftimiu Eftimiusi, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit pak javë më parë në Tiranë. Në një intervistë për Ora News ai ka deklaruar se policia dhe organi i akuzës nuk kanë asnjë provë kundër tij, ndërsa shprehu bindjen se ai është i pafajshëm.

Ilva Tare: Ju mbroni një shtetas grek Eftemiu, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit. Çfarë provash ka?

Visha: Me aq sa jam njohur unë me provat, nuk ka asnjë fakt qoftë direkt apo indirekt që të implikoi klientin tim në këtë vepër. Autori i dyshuar mund të jetë me mjekër dhe ne nxjerrim një person që nuk ka lidhje fare me veprën penale.

Tare: Si e ka njohur viktimën shtetasi grek?

Visha: Nuk njihen fare, s'kanë asnjë lidhje fare. Nuk lidhen, nuk ka asnjë motiv. Madje është shprehur disa herë që është person i Forcave Speciale dhe është përgatitur për të mbrojtur jetë njerëzish dhe jo për të marrë jetë njerëzish.

Tare: Mohohet ai konflikt që ka qenë më parë?

Visha: S'ka lidhje fare.

Tare: Si ka hyrë në Shqipëri?

Visha: Ka hyrë në mënyrë të ligjshme bashkë me dy miqtë e vet dhe që unë shumë shpejt do t'i paraqes për t'i pyetur. Ka hyrë nga Kakavija, me një fuoristradë, me një bashkëfshatarin e vet për pushime në Shqipëri.  Ne jemi të bindur në pafajësinë e tij dhe vet familjarët duhet të jenë ata që duhet të shohin se nuk është duke u mbrojtur prej meje autori i kësaj vrasje.

Tare: A ka lidhje me bandën që është arrestuar?

Visha: Unë nuk mund të hyj në këtë debat se është në fazën e hetimeve. Nuk mund të flasim as për grup të strukturuar kriminal. Bëhet fjalë për disa armë të gjetura në vendngjarje. Bëhet fjalë për një vepër penale, armëmbajtje pa leje. Ndaj nuk mund të bëjmë fjalë për grup të strukturuar kriminal.

Tare: Çfarë do të bëni më tej?

Visha: Ne jemi të bindur në pafajësinë e tij. Pafajësia zgjidhet me pushimin e çështjes penale.

Tare: Policia është e bindur në fajësinë e tij...

Visha: Policia bënë gabim. Unë i kam të gjitha provat. Shumë shpejt mund t'i vë në dispozicion dhe se ata nuk kanë asnjë provë dhe asnjë fakt. Për mua është një nxitim nga ana e policisë. Jo me urdhër të prokurorit. Këtu kemi një përplasje polici – prokurori. Ne ditën e martë jemi në Gjykatën e Apelit dhe e kemi të vështirë të marrim lirinë.