Opinion

Unë rrita 2 CEO të suksesshme dhe një mjeke - ja stili i prindërimit që nuk kam përdorur kurrë për fëmijët e mi

Unë rrita 2 CEO të suksesshme dhe një mjeke - ja stili i

Nga Esther Wojcicki/ Prindërimi është sfidues, veçanërisht në botën e sotme pas pandemisë. Sigurisht që nuk ishte e lehtë të rrisja tre vajzat e mia.

Unë nuk kërkoj të gjitha meritat për sukseset e tyre, por të treja u rritën për t’u bërë femra të arrira. Susan është CEO i YouTube , Janet është mjeke dhe Anne është bashkëthemeluese dhe CEO e 23andMe, një kompani bioteknologjie. Ato u ngjitën në krye të profesioneve ultra-konkurruese, të dominuara nga meshkujt.

Bazuar në përvojën dhe hulumtimin tim, besoj se “prindërimi me helikopter” është më toksiku.

Çfarë është prindërimi me helikopter?

Prindërimi me helikopter është kur ju vazhdimisht zgjidhni problemet e fëmijëve tuaj që ata të mos kenë nevojë të përballen me sfida dhe zhgënjime.

Studimet thonë se ky lloj prindërimi dëmton aftësitë e fëmijëve për të zhvilluar vetëkontroll, aftësi për zgjidhjen e problemeve dhe për të krijuar një identitet të ndarë nga prindërit e tyre.

Mikja ime Maye Musk, një modele e suksesshme dhe nëna e Elon Musk, pajtohet me efektet e dëmshme të prindërimit helikopter.

Ajo kurrë nuk i kontrolloi detyrat e shtëpisë së fëmijëve të saj. Ajo nuk mundi. Ajo punonte pesë punë për t’ia dalë mbanë.

‘Truku’ i thjeshtë për të rritur fëmijë të suksesshëm

Unë rekomandoj të ndiqni TRICK, një akronim për Besim, Respekt, Pavarësi, Bashkëpunim dhe Mirësi:

Besimi: Besimi duhet të fillojë me ne, prindërit. Kur jemi të sigurt në zgjedhjet që bëjmë, atëherë mund t’u besojmë fëmijëve tanë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm drejt fuqizimit.

Respekti: Çdo fëmijë ka një dhunti dhe është përgjegjësia jonë ta ushqejmë atë dhunti.

Pavarësia: Kjo mbështetet në një themel të fortë besimi dhe respekti. Fëmijët vërtet të pavarur janë të aftë të përballojnë fatkeqësitë, pengesat dhe mërzinë - të gjitha aspektet e pashmangshme të jetës.

Bashkëpunim: Bashkëpunim do të thotë të punosh së bashku si familje, në klasë ose në një vend pune. Për prindërit, kjo do të thotë të inkurajoni fëmijët të kontribuojnë në diskutime, vendime dhe madje edhe disiplinë.

Mirësia: Mirësia e vërtetë përfshin mirënjohje dhe falje, shërbim ndaj të tjerëve dhe një ndërgjegjësim për botën jashtë vetes.

*Esther Wojcicki është një edukatore, gazetare dhe autorja e librit “Si të rritësh njerëz të suksesshëm”.